Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha sot mbajti fjalim në sesionin e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kushtuar politikave evropiane për ujërat në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se uji sot trajtohet si çështje e sigurisë, zhvillimit ekonomik, shëndetit publik dhe cilësisë së jetës. Ai nënvizoi se politikat e reja evropiane e pozicionojnë ujin si burim strategjik dhe faktor kyç në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Për ne kjo është njëkohësisht detyrim dhe mundësi, të përshpejtojmë harmonizimin me standardet evropiane dhe të avancojmë reformat për një menaxhim më efikas dhe më të qëndrueshëm të burimeve ujore”, theksoi Hoxha.
Ministri vuri në dukje se ndryshimet klimatike tashmë kanë ndikim të drejtpërdrejtë përmes thatësirave dhe përmbytjeve, të cilat ushtrojnë presion mbi burimet ujore, bujqësinë dhe ekosistemet. Në këtë kontekst, ai shtoi rëndësinë e një qasjeje të integruar, e cila ndërlidh politikat e mjedisit jetësor, bujqësisë, energjetikës dhe planifikimit hapësinor.
Në fjalimin e tij, Hoxha vendosi theks të veçantë te digjitalizimi i menaxhimit të sektorëve të ujit brenda institucioneve, si dhe te investimet në zgjidhje të bazuara në natyrë, të cilat përbëjnë një pjesë kyçe të qëndrueshmërisë afatgjatë ndaj ndryshimeve klimatike.

