
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, së bashku me zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli – Shaqiri, sot realizuan vizitë pune në Komunën e Dollnenit, ku kryen inspektim të projekteve që po realizohen, për përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe mbrojtjen e mjedisit.
Gjatë vizitës u theksua se është duke u realizuar rikonstruimi dhe rregullimi i shtratit të lumit në Dereshtë, një investim me vlerë prej 11,8 milionë denarësh, i siguruar përmes “Kredisë Hungareze”, nga të cilat Ministria merr pjesë drejtpërdrejt me rreth 5,8 milionë denarë. Siç thonë nga ministria, ky projekt është me rëndësi kyçe për mbrojtjen e popullsisë lokale dhe konfirmon përkushtimin për zhvillim të barabartë rajonal dhe mbështetje për komunat më të vogla që në të kaluarën kanë qenë të neglizhuara.
“Paralelisht, në komunë po zhvillohet edhe ndërtimi i gypit furnizues nga sistemi rajonal “Studençica”, përmes të cilit vendbanimet Çërnilishtë, Slepçe, Brailovë dhe Desovë më në fund do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pastër”.
“Në kuadër të vizitës, theks i veçantë iu kushtua edhe menaxhimit të mbeturinave. Tashmë janë dorëzuar 2.000 kosha mbeturinash për amvisëri dhe 50 kontejnerë, ndërsa deri në tetor të këtij viti pritet të dorëzohen edhe automjete të specializuara për mbledhjen e mbeturinave. Ky është një nga hapat e parë drejt krijimit të një sistemi modern dhe të qëndrueshëm, pasi Komuna e Dollnenit është pjesë e Qendrës rajonale për menaxhimin e mbeturinave në Novaci të Manastirit– një nga tre qendrat e tilla që po krijohen në vend”.
“Ministri Hoxha theksoi se vazhdon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Bankën Evropiane për Investime, me qëllim sigurimin e zgjidhjeve afatgjata në menaxhimin e ujërave dhe përballjen me sfidat klimatike”, thuhet në njoftim.
“Vazhdojmë të punojmë me intensitet të shtuar dhe të investojmë aty ku është më e nevojshme – sepse vetëm kështu mund të realizohet transformimi i gjelbër që synojmë”, deklaroi ministri Hoxha.




