
Opozitarja Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron skandaloz qëndrimin e Avokatit të Popullit për provimin e jurisprudencës, duke e cilësuar atë në kundërshtim me të drejtat e garantuara me ligj dhe Kushtetutë.
Deputeti Ilir Hasani theksoi se është e papranueshme që përdorimi i gjuhës shqipe në provimet shtetërore të kushtëzohet me kërkesë të kandidatëve.
“Është e papranueshme që e drejta për të përdor gjuhën shqipe në provimet shtetërore të paraqitet si e drejtë që realizohet vetëm me kërkesë të kandidatit. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk është as privilegj as favor administrativ, por është e drejtë e garantuar me ligj dhe kushtetutë dhe institucionet kanë obligim që ta zbatojnë me detyrë zyrtare”, deklaroi Ilir Hasani, Fronti Evropian.
Ky reagim vjen pasi Avokati i Popullit, Faton Selami, i ka propozuar Qeverisë që me kërkesë të studentëve, provimi i Jurisprudencës, Noterisë dhe Përmbarimit, të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.




