Njësia e shpërndarë e zjarrfikësve është hapur në Komunën e Tearcës dhe do të mbulojë edhe Komunën e Jegunocit.

Kjo kërkesë e kahershme, sipas kryetarëve të komunave, do të rrisë sigurinë e banorëve në rastet e zjarreve.

“Pas shumë vitesh pritje premtime e mos realizim, sot më në fund po bëjmë një hap të rëndësishëm për sigurinë, e mirëqenien për gjithë banorët tanë. Sot po e hapim njësinë kundër zjarrit edhe në komunën e Tearcës. Ky nuk është vetëm një investim i thjeshtë, por është një investim për sigurinë e qytetarëve tanë”, tha kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.

“Kjo është dëshmi se punojmë në interes të banorëve dhe decentralizimin nuk do e kemi vetëm në letër por edhe në realitet dhe do punojmë edhe në projekte tjera që bashkë do i realizojmë në periudhën e ardhshme që do jenë në interes edhe të Pollogut edhe komunës së Jegunocit”, u shpreh Dime Konstadinoski – kryetar i Jegunocit.

Njësia fillimisht do të ketë një numër të kufizuar zjarrfikësish dhe do të funksionojë vetëm në një ndërrim.

“Në këtë nënstacion të komunës së Tetovës këtu në Tearcë do të ketë të punësuar tetë persona që do jenë për momentin me vetëm një ndrrim derisa ta shihet funksionaliteti sakt dhe më pastaj të bëhet edhe shërbim 24 orësh”. theksoi Avni Ameti – Shef i NJTKZ Tetovë.

Një njësi e ngjashme e shpërndarë pritet të hapet edhe në Komunën e Bogovinës, ndërsa para një viti u hap një e tillë edhe në Komunën e Zhelinës. /tv21

Share.
Exit mobile version