Qeveria mbetet e përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, stabilitetit në menaxhimin e financave publike, zbatimin e konsolidimit fiskal dhe sigurimin e rritjes ekonomike të përshpejtuar dhe të qëndrueshme. Njëkohësisht, ajo ndjek me vëmendje zhvillimet nën ndikimin e pasigurive në planin ndërkombëtar dhe ndërmerr masa për përballimin e sfidave.

Kjo u theksua në takimet e ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me drejtorin ekzekutiv të FMN-së Jeron Klik, zëvendësdrejtorin ekzekutiv Marniks van Raj, drejtorin e Departamentit Evropian në FMN-së Alfred Kamer, me shefin e Misionit të FMN-së Nik Gigineishvili, si dhe me përfaqësuesit e Departamentit të Çështjeve Fiskale pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, në Uashington, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave të RMV-së.

”Qëllimi krucial i politikës fiskale mbetet përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe ruajtja e nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale që mbështesin politikat ekonomike afatgjata. Elementet kryesore mbi të cilat e bazojmë politikën fiskale janë masat për të siguruar qëndrueshmëri afatmesme, disiplinë në menaxhimin e financave publike, transparencë dhe llogaridhënie në shfrytëzimin e mjeteve, si dhe mbështetje të ekonomisë duke mbajtur shpenzimet kapitale në nivel të lartë (5% të PBB-së). Fokus i madh përqëndrohet edhe në përforcimin e efikasitetit në anën e të ardhurave, veçanërisht në luftën kundër ekonomisë gri dhe dixhitalizimin e proceseve, duke ruajtur njëkohësisht normat e ulëta tatimore”, theksojnë nga ministrja e Financave.

Ajo potencoi se prioritet i veçantë i Qeverisë dhe Ministrisë së Financave është zbatimi i konsolidimit fiskal të paraparë dhe ulja e deficitit buxhetor, i cili që nga viti 2024 është në trend rënës nga 4.4%, në vitin 2025 është realizuar deficit buxhetor prej 4% të PBB-së dhe në vitin 2026, sipas projeksionit, është në nivel prej 3.5% të BPV-së.

Siç theksoi Ministrja, Qeveria dhe Ministria e Financave po ndërmarrin të gjitha masat dhe po ndjekin zhvillimin e situatave në nivel ndërkombëtar me qëllim që të ndërmerren masa për përballimin e sfidave. Ajo potencoi masat e ndërmarra për mbështetjen e sektorit të biznesit dhe qytetarëve, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjensave, duke theksuar se qëllimi është ruajtja e stabilitetit të financave publike dhe mbështetja e rritjes ekonomike. Përveç kësaj u tha se masat duhet të jenë të targetuara.

Gjatë takimit, po ashtu, u theksua përkrahja që ofron Fondi Monetar Ndërkombëtar në zbatimin e reformave kryesore në menaxhimin e financave publike dhe përforcimin e kapaciteteve të administratës. Në kuadër të qëndrimit të saj në Uashington, ministrja do të ketë takim edhe me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version