Aktakuza për zjarrin në klubin e natës “Pulse” në Koçan do të vlerësohet deri në fund të javës, njoftoi Gjykata Penale e Shkupit, e cila është përgjegjëse për zhvillimin e gjykimit për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë më të re të vendit, në të cilën humbën jetën 62 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën. Aktakuza u ngrit më 13 qershor ndaj 37 personave fizikë dhe subjekteve juridike kurse Gjykata Penale thotë se vlerësimi është zvarritur për shkak se autoritetet gjyqësore nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë avokatët e të akuzuarve në kohë.
“Që nga pranimi i aktakuzës, gjykata ka angazhuar të gjitha burimet në dispozicion për ta dorëzuar aktin te palët. Fatkeqësisht, gjatë muajve të fundit, dorëzimi te disa nga avokatët dhe përfaqësuesit e personave juridikë nuk mund të realizohej në kohë. Pavarësisht njoftimeve nga gjykata se aktakuza do të dorëzohej direkt në zyrat e tyre për efikasitet më të madh në procedurë, ata mungonin. Prandaj, dorëzimi, dhe me këtë edhe afatet për kundërshtime, janë zvarritur pa nevojë”, thonë nga Gjykata Penale Themelore- Shkup.
Aktakuza do të vlerësohet deri më 3 tetor, kur skadon afati i përcaktuar me ligj. Ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur se është i pakënaqur me punën e prokurorisë.
“Nëse pyetja është nëse jam i kënaqur me punën e prokurorisë, përgjigjja ime do të jetë se nuk jam i kënaqur dhe kjo ishte pikërisht arsyeja pse mbështetëm shkarkimin e Kocevskit në parlament, e pse LSDM dhe BDI nuk e mbështetën shkarkimin e Kocevskit është çështje tjetër. Pra, kushdo që në çfarëdo mënyre dhe në çfarëdo forme ka lidhje me këtë rast duhet të nxirret para drejtësisë”, deklaroi Hristijan Mickoski- kryeministër.
Hetimi nga prokuroria zgjati tre muaj dhe përfshin 33 persona fizikë dhe katër persona juridikë të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike kurse një person akuzohet gjithashtu për veprën penale-marrje të ryshfetit. Pronarët e klubit të natës janë të akuzuarit e parë kurse ka akuzë edhe ndaj tre ish-kryetarëve të Koçanit, katër drejtorëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ndaj ish-ministrave të Ekonomisë dhe pjesëtarëve të sigurisë së klubit. Paralelisht, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon procedura edhe ndaj 13 nëpunësve policorë në lidhje me tragjedinë, megjithatë, aktakuza në këtë rast ende nuk është përfunduar. /Alsat/