Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme të 20-të do t’i shqyrtojë rastet për Vendimin e Qeverisë me të cilin konfirmohet numri i anëtarëve të këshillave në komuna.

Për këtë pikë janë dorëzuar tre nisma. E para është dorëzuar nga Skender Rexhepi i cili pohon se vendimi i kontestuar krijon pasiguri juridike, sepse sipas tij, Qeveria pa autorizim ligjor e ka marrë vendimin me të cilin është konfirmuar numri i anëtarëve të këshillave në komuna. Në nismë është theksuar se Qeveria nuk ka autorizim ligjor për vendime të tilla dhe numri i anëtarëve i cili është përcaktuar me Vendimin e kontestuar është i ndryshëm nga mënyra e parashikuar në nenin 34 të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Citohet se vendimi nuk përmban të dhëna në bazë të të cilave është përcaktuar numri i anëtarëve të këshillave, që e njejta e bën të paqartë dhe në kundërshtim me nenin 9 alinea 3 të Kushtetutës.

Nisma e dytë është dorëzuar nga Qenan Alija i cili pohon se Vendimi kontestues është në kundërshtim me nenin 8 alinea 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenet e Ligjit për vetëqerverisje lokale. Citohet se pushteti ekzekutiv nuk mund ta caktojë numrin e anëtarëve në këshillat e komunave në kundërshtim me të dhënat zyrtare të fituara nga Regjistrimi në vitin 2021.

Paraqitës të nismës së tretë janë Blerim Bexheti, koordinator i grupit të deputetëve “Fronti Evropian” dhe Sali Murati, deputet i grupit parlamentar “Fronti Evropian”. Në të mes tjerash citohet se me vendimin kontestues shkelet neni 34 i ligjit për vetëqeverisje lokale, sepse sipas pohimeve i jepet autorizim Qeverisë ta caktojë numrin e anëtarëve të këshillit të komunës. Sipas dorëzuesve, neni 36 paragrafi 3 i Ligjit për Qeverinë mundëson të miratohen vendime që të zbatohen ligjet, por jo edhe të merren vendime të cilat janë bazuar në metodologji kontestuese juridike ose të shfuqizuara. Për këtë si argument theksojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese U. nr 251/2025 me të cilin Gjykata shfuqizoi pjesë të metodologjisë për realizimin e regjistrimit në vitin 2021. Citohet se fakti me të cilin Gjykata Kushtetuese i ka shfuqizuar pjesët kontestuese të Metodologjisë është nga vlera themelore për vlerësim juridik të Vendimit tani kontestues të Qeverisë, sepse ai është bazuar në bazat e shfuqizuara metodologjike, përkatësisht në të dhënat e kategorisë “popullata rezidente” sipas Regjistrimit të vitit 2021.

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme do ta shqyrtojë edhe kërkesën e gazetares Natasha Stojanovska, të dorëzuar përmes avokatit Filip Medarski, me të cilin kontestohet Vendimi 3 P4-240/22 nga 15.06.2022 në Gjykatën Themelore Civile në Shkup dhe Gjykimi GZH-3340/22 nga 19.12.2024 në Gjykatën e Apelit në Shkup.

Dorëzuesja deklaron në kërkesë se pretendimi i saj në lidhje me shkeljen e lirisë së shprehjes është refuzuar si i pabazuar nga të dyja gjykatat nëpërmjet miratimit të vendimeve, të cilat i referohen një ngjarjeje që ndodhi më 27 prill të vitit 2017 në Kuvend. Dorëzuesja, si gazetare e akredituar, ishte e pranishme atë ditë në Kuvend për të raportuar për Televizionin 24, dhe jo vetëm që u pengua të raportonte për ngjarjen kritike, por gjithashtu deklaroi se ishte sulmuar, pas së cilës, për të ushtruar të drejtat e saj pas ngjarjes, ajo ngriti padi gjyqësore kundër shtetit, për shkak se ai nuk mbronte sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre, sipas kuptimit të Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Gjykatat e hodhën poshtë pretendimin e saj për kompensim për dëmet për shkak të lirisë së shprehjes, si të pabazuar.

Share.
Exit mobile version