Kalaja e Shkupit pritet të shndërrohet në një skenë të hapur kulturore për aktivitete artistike dhe kulturore. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov dhe Dragi Mitrevski dhe një përfaqësues nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, realizuan një inspektim në këtë lokalitet për të vlerësuar gjendjen aktuale dhe mundësitë për aktivizimin e tij në kuadër të vizionit Shkupi – Kryeqytet Evropian i Kulturës.
Sipas autoriteteve, hapësira do të përshtatet me kujdes dhe në mënyrë profesionale, duke respektuar plotësisht vlerat historike, me qëllim që Kalaja e Shkupit të vihet në shërbim të qytetarëve, artistëve dhe vizitorëve.
“Si kryetar i Qytetit të Shkupit, kam një qëllim të qartë dhe të padiskutueshëm që nënkupton hapjen e plotë të hapësirës së Kalasë së Shkupit, përshtatjen e saj të kujdesshme, profesionale dhe të përgjegjshme, si dhe vënien e saj në funksion aktiv për përmbajtje kulturore dhe artistike, me respekt të plotë ndaj shtresave historike dhe trashëgimisë autentike kulturore.
Në mbarë botën ekzistojnë shembuj të shumtë pozitivë ku objekte me vlerë të fortë historike dhe simbolike janë integruar plotësisht në jetën bashkëkohore kulturore si skena për teatër, muzikë, ekspozita dhe performanca bashkëkohore artistike.
Ato janë hapësira të gjalla ku zhvillohet një dialog i vazhdueshëm mes trashëgimisë antike, periudhës osmane dhe shprehjeve artistike bashkëkohore”, ka shkruar mes tjerash Gjorgjievski.

