Kryetarë komunash nga qytete evropiane sot qëndruan në Shkup për të shprehur mbështetjen e tyre për kryeqytetin, në projektin Shkupi 2028 – Kryeqyteti Evropian i Kulturës.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se përmes bashkëpunimit me qytetet evropiane, Shkupi do të zhvillohet në aspektin kulturor, ndërsa paralelisht do të realizohen edhe projekte infrastrukturore, si rikonstruktimi i Kalasë, Çarshisë së Vjetër dhe objekteve të tjera me rëndësi.
“Kjo është një mundësi e mirë që përmes kulturës t’i bashkojmë të gjithë qytetarët në Shkup. Nga njëra anë, ky është dimensioni kulturor i procesit, ndërsa nga ana tjetër janë projektet infrastrukturore që planifikojmë, si rikonstruktimi i Kalasë ku do të mbahen shumë ngjarje, Çarshia e Vjetër e Shkupit, Akuadukti një simbol i vërtetë i qytetit, e të tjera.” deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Nga Delegacioni i Bashkimit Evropian u theksua se bashkëpunimi me qytetet evropiane do të ndikojë në zhvillimin kulturor dhe infrastrukturor të Shkupit.
Kryetarët e komunave evropiane theksuan se Shkupi edhe pas vitit 2028 do të vazhdojë të përfitojë investime në kulturë.
Ata u shprehën se janë në Shkup për të mbështetur projektin, duke ndarë edhe përvojat dhe sfidat e tyre, të cilat nuk duhet të përsëriten.
Nga Qyteti i Shkupit theksuan se gjatë këtij viti do të realizohen projektet e parapara, ndërsa deri në vitin 2028 do të punohet për përmirësimin e sfidave reale, si higjiena, gjelbërimi dhe transporti publik.
