Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev ka thënë sot se, Austria garanton se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe kornizës negociuese.

Në një intervistë për televizionin bullgar nacional ai tha se, ka folur personalisht me homologun e tij austriak në lidhje me procesin e negociatave për Maqedoninë e Veriut me BE-në dhe është siguruar personalisht se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e Austrisë mbi kornizën negociuese të Shkupit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

“Nuk mund t’i përgjigjem pyetjes nëse Shkupi po kërkon mbështetje nga Austria për të anashkaluar propozimin francez – ata ndoshta po kërkojnë një mbështetje të tillë, nëse do ta gjejnë është një çështje tjetër. Roli ynë në këtë rast është të sigurohemi që BE-ja të vazhdojë t’i përmbahet konsensusit evropian. Kam folur me homologun tim austriak dhe e sigurova atë se nuk ka asnjë centimetër tërheqje nga ajo që duhet të bëjë Maqedonia e Veriut – të ndryshojë Kushtetutën e saj dhe të përmbushë kriteret që janë vendosur. Çfarë pretendimesh po përhap pala tjetër për të kënaqur veten është një çështje më vete”, tha Georgiev.

I pyetur nëse Bullgaria do të “çlirohej” në këmbim të “çlirimit” të vendit për negociatat e anëtarësimit në BE, ministri Georgiev tha se, një tezë e tillë nuk është thjesht spekulim, por një gënjeshtër e vrazhdë dhe e rëndë, për të cilën në vendet e tjera ndoshta mund të kërkohet një lloj tjetër përgjegjësie.

“Unë besoj se pretendimi se vendi juaj ka shkëmbyer diçka në këmbim të diçkaje tjetër, në dëm të interesit kombëtar, është jashtëzakonisht serioz. Do të doja të dëgjoja nga ish-deputeti evropian i cili përhapi akuzat për një ‘shkëmbim’ se mbi çfarë fakti i bazon versionet e tij. Nuk ka, dhe po e them këtë, që nuk ka pasur asnjë bisedë, drejtim apo veprim që mund të ishte ndërmarrë në drejtim të mbrojtjes së vizionit tonë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, dhe konkretisht në lidhje me Shkupin, kjo nuk është bërë”, deklaroi Georgiev.

Kryediplomati bullgar ka përsëritur se, nuk ka Plan B, ekziston vetëm një plan dhe ai është zbatimi i marrëveshjeve, ndryshimi i Kushtetutës, duke shtuar se, asnjë vend nuk e mori anëtarësimin në BE falas por të gjithë paguan një çmim dhe të gjithë iu përmbajtën kornizës negociuese.

Georgiev: Nuk ka plan B për RMV-në, duhet të ndryshohet kushtetuta sepse asnjë vend nuk u anëtarësua në BE pa paguar një çmim appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version