Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me ish-kryetarët e Kuvendit, Tito Petkovski, Trajko Veljanoski dhe Jovan Mitreski. Ky është takimi i dytë me radhë i këtij lloji, i organizuar me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe mendimeve.

Siç njoftojnë nga kabineti i Gashit, në fillim të takimit, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu sërish respektin e tij të madh për Kuvendin, të cilin e konsideron një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit.

“Ai ndau shkurtimisht informacione për aktivitetet që zhvillohen në Kuvend, të cilat nuk janë shumë të njohura për publikun. Në këtë drejtim, ai përmendi marrëveshjet kolektive të pesë universiteteve shtetërore të nënshkruara në dhjetor 2025, si dhe negociatat në vijim për lidhjen e një marrëveshjeje kolektive me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kryetari Gashi, i informoi gjithashtu të pranishmit për procesin e miratimit të Kodit të ri Etik për deputetët, si dhe për procesin e digjitalizimit të plotë të punës së Kuvendit, i cili ka filluar të zbatohet nga 1 janari i këtij viti. Ai theksoi rëndësinë e digjitalizimit të video-incizimeve të seancave të Kuvendit që nga përbërja e parë e Kuvendit pas pavarësisë së shtetit”.

“Digjitalizimi i plotë i punës së Kuvendit u mirëprit nga të pranishmit, duke pasur parasysh rëndësinë e tij në ndërtimin e shtetit, veçanërisht për seancat e Kuvendit për periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2002, sepse për këtë periudhë video-incizimet i posedon vetëm RTM-ja. Petkovski e përshëndeti këtë qasje dhe propozoi që në këtë proces të përfshihet edhe Arkivi Shtetëror si institucion i themeluar për këtë qëllim, ndërsa Veljanoski theksoi se Kuvendi duhet të ketë një qasje të përgjegjshme ndaj ruajtjes së tëgjithë materialeve nga seancat për punën e tij. Në këtë drejtim, Kryetari Gashi dhe Mitreski theksuan se Këshilli i Kanalit të Kuvendit, gjithashtu brenda kompetencave të tij, mund të japë kontributin e vet në këtë proces”.

“Sa i përket marrëveshjeve kolektive të universiteteve shtetërore dhe arsimit të lartë në përgjithësi, si një nga segmentet më të rëndësishme të një shteti, të pranishmit theksuan se Kuvendi duhet të mundësojë një arsim të lartë që do të prodhojë kuadër cilësor të nevojshëm për shtetin në fusha të ndryshme: shëndetësi, arsim, ekonomi, veprimtari shoqërore etj. Reformat e plota në arsimin e lartë mbeten një sfidë për Kuvendin, me qëllim miratimin e një ligji cilësor për arsimin e lartë, i cili do të jetë në interes të profesorëve dhe të shtetit dhe do të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme që nuk do të ndryshojnë në varësi të ndryshimeve të pushtetit. Utheksua se duhet pasur shumë kujdes gjatë negocimit kolektiv për të shmangur mundësitë e keqinterpretimit dhe që Kuvendi të përfshihet në marrëveshje kolektive për institucione për të cilat nuk zbatohet Ligji për marrëdhëniet e punës”.

“U theksua se Kodi Etik ekzistues pothuajse nuk është zbatuar në praktikë, prandaj miratimi i Kodit të ri Etik u vlerësua si një mundësi për rritjen e integritetit të deputetëve dhe të Kuvendit, si dhe për forcimin e besimit të publikut në funksionin e deputetit. Në fund të takimit, Kryetari Gashi rishprehu idenë për formimin e një organi këshillimor dhe konsultativ me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së memories institucionale të Kuvendit, në funksion të përmirësimit të praktikës parlamentare dhe të demokracisë. Ai i ftoi të pranishmit të japin mendimet e tyre dhe theksoi se këtë ide do ta ndajë edhe me ish-kryetarët e Kuvendit që nuk ishin të pranishëm në këtë takim”, thuhet në njoftim.

Share.
Exit mobile version