Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alen Berset.
Siç njoftojnë nga kabineti i Gashit, në takim u diskutuan çështjet me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë në përmirësimin e proceseve demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Këto tema janë vlera thelbësore të bashkëpunimit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Evropës. Kryetari Gashi e konfirmoi përkushtimin e Kuvendit ndaj standardeve demokratike dhe stabilitetit institucional. Ai theksoi se këto parime janë të rëndësishme në krijimin e politikave publike të shtetit. Tha se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet partner i besueshëm dhe konstruktiv. Kontribuon në mënyrë aktive në forcimin e kulturës demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është shembull i demokracisë multietnike dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse”.
“Në takim, Kryetari Gashi e shprehu mbështetjen e tij për iniciativën “Pakti i Ri Demokratik për Evropën”, si përgjigje në kohë dhe strategjike ndaj sfidave me të cilat përballen demokracitë bashkëkohore evropiane. Kryetari theksoi se ky Pakt është kornizë e rëndësishme për parandalimin e ngecjes demokratike dhe ofrimin e mbrojtjes më të mirë nga dezinformatat, manipulimet dhe ndikimet e jashtme në shoqëri. Theksoi veçanërisht rëndësinë e parlamenteve në zbatimin e parimeve të Paktit. Kuvendi, si garant i legjitimitetit demokratik, do të jetë pjesëmarrës aktiv në këtë proces.Kryetari Gashi theksoi gjithashtu rëndësinë e Këshillit të Evropës si një shtyllë e rëndësishme e demokracisë evropiane. Në këtë kontekst, ai konfirmoi nevojën për një përgjigje të koordinuar dhe të përbashkët evropiane ndaj problemeve të polarizimit, rënies së besimit në institucionet dhe dezinformatat në hapësirën digjitale”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se takimi konfirmoi se integrimi evropian mbetet prioritet i lartë strategjik për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ky nuk është vetëm qëllim politik, por edhe transformim shoqëror që nënkupton forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit. Kryetari Gashi theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe dialogut rajonal, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe vlerat evropiane, duke theksuar se demokracitë e forta dhe të rezistueshme janë garancia më e mirë për paqe dhe prosperitet”.
“Takimi përfundoi me konfirmim të gatishmërisë për të thelluar më tej bashkëpunimin midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Evropës me qëllim që të kontribuojnë së bashku për një Evropë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më demokratike”, thuhet në njoftim.

