Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në fjalimin e tij në Sesionin e 13-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje, theksoi rëndësinë e dialogut ndërparlamentar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe perspektivës evropiane të rajonit, duke vlerësuar se ato janë kyçe për të ardhmen e Evropës Juglindore.
Ai tha se në kohë sfidash gjeopolitike, rajoni duhet të tregojë pjekuri politike dhe përgjegjësi, ndërsa parlamentet përmes diplomacisë duhet të ndërtojnë besim dhe bashkëpunim. Gashi u shpreh se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe se integrimi evropian është përcaktim strategjik i vendit, i mbështetur për dekada.
Ai theksoi se vendi ka kaluar nëpër një rrugë të vështirë me vendime dhe kompromise historike në funksion të perspektivës evropiane. Duke folur për procesin e integrimit, Gashi tha se Maqedonia e Veriut ka përmbushur kritere dhe ka marrë vlerësime pozitive, por është përballur shpesh me kushtëzime dypalëshe që kanë krijuar ndjenjë padrejtësie tek qytetarët.
Ai kërkoi që procesi i aderimit në BE të jetë i parashikueshëm, i drejtë dhe i bazuar në kritere evropiane, duke theksuar se vonesat e dëmtojnë besimin në projektin evropian.

