Kandidati për president, ish-deputeti dhe profesori universitar, Ljubomir Frçkovski ka reaguar në lidhje me provimin e jurispodencës për studentët shqiptarë, duke thënë se kjo temë nuk guxon të shndërrohet në kolateral politik në politikën ditore në Maqedoni, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Hapja e mundësisë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe po merr dimensione politike, shpesh si linjë përplasjeje midis shtrirjes së përdorimit të gjuhës shqipe dhe përdorimit zyrtar të gjuhës maqedonase. Kjo, natyrisht, merr dimensione politike edhe në Qeveri dhe përplasja po shndërrohet në diçka që në asnjë rast nuk duhet të bëhet, dhe me gjasë ka prirje të ashpërsohet” ka thënë Frçkovski.
“Mendoj se, pavarësisht kësaj, dhe pa dashur të komentoj tani Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili është në procedurë para Gjykatës Kushtetuese dhe në të cilin mbështeten ata që kundërshtojnë të drejtën që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe – ndër ta edhe ministri i Drejtësisë – duhet të ndalemi drejtpërdrejt te mundësitë dhe argumentet kushtetuese e ligjore. Ato tregojnë se provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën në të cilën personi, përkatësisht kandidati, e ka ndjekur arsimin juridik” shton Frçkovski.
Frçkovski ka thënë se pengimi i kësaj të drejte për studentët është diskriminim dhe është jokushtetuese. “Heqja e të drejtës që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, përkatësisht në gjuhën në të cilën ata janë arsimuar, përbën diskriminim dhe është kategori jokushtetuese. Kjo e drejtë për dhënien e provimit të jurisprudencës është, de facto, një e drejtë private e studentëve dhe nuk lidhet me vendin ku ata do të punojnë në gjykata” tha mes tjerash Frçkovski. /Telegrafi/

