Maqedonia duhet të vazhdojë në rrugën evropiane, në mënyrë aktive, me rezultate dhe vizion, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë një vizite pune në Paris, Francë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Filipçe njofton se qëllimi i vizitës është promovimi dhe mbrojtja e interesit dhe qëndrimeve kombëtare të Maqedonisë. Ai theksoi se LSDM tashmë po punon për një qasje proaktive, që do të thotë zgjidhje dhe iniciativa konkrete për zhbllokimin e procesit.
“Përgatitja e Rezolutës, e cila do të jetë një zgjidhje fitimprurëse për shtetin dhe qytetarët, është në fazën përfundimtare. Me këtë Rezolutë, ne do të ofrojmë një mekanizëm kombëtar për t’u marrë me kërkesat e mundshme joparimore nga Bullgaria gjatë negociatave nëse ato në ndonjë mënyrë devijojnë nga Korniza Negociuese”, tha Filipçe.
Ai shtoi se gjuha, kultura dhe identiteti maqedonas, si vlera themelore, janë tashmë të mbrojtura në disa dokumente evropiane dhe nga vetë korniza.
“Duke miratuar një rezolutë me konsensus kombëtar, ne do t’i konfirmojmë këto qëndrime, por gjithashtu do të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët se si t’i mbrojmë ato në institucionet vendase. Me këtë dokument, ne do të ofrojmë një afat kohor të qartë për hapat dhe reformat e ardhshme si një zhbllokim përfundimtar i rrugës evropiane”, tha Filipçe.
Filipçe shtoi se tani është koha për pjekuri politike dhe përgjegjësi të përbashkët për përparimin e vendit./Telegrafi/