
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha sot se deklarata e ish-presidentit Stevo Pendarovski është keqpërdorur nga mediat pro-qeveritare. Ai shfrytëzoi rastin që ta akuzojë drejtpërdrejt kryeministrin Hristijan Mickoski për tradhti kombëtare dhe për udhëheqjen e Qeverisë më korruptive deri më tani.
Duke u ndalur te ndarjet e supozuara partiake, Filipçe vuri në dukje:
”Është interesante pse kjo pyetje vjen tani, kur deklarata është e para disa javëve. Edhe ajo deklaratë është nxjerrë nga konteksti. Presidenti Pendarovski, përkundrazi, jep mbështetje maksimale në atë që po bëjmë dhe po punojmë në parti. Kjo që shohim ditët e fundit është rezultat i një fushate të fortë të mediave pro-qeveritare dhe pro-OBRM-së, do të thosha agjitatorëve, jo gazetarëve, të cilët nxjerrin gjërat nga konteksti dhe sulmojnë partinë”, tha Filipçe.
Ai i ndërlidhi këto sulme mediatike drejtpërdrejt me frikën në radhët e partisë në pushtet, për shkak të sondazheve të fundit të opinionit publik.
”Bëjnë çmos dhe merren vetëm me LSDM-në, ndërkohë që thonë se partia ka vdekur. Nëse është ashtu, pse 90 për qind e fushatës së zezë të mediave pro-qeveritare është kundër nesh dhe kundër meje personalisht? Diferenca mes nesh dhe tyre, rezultate të cilat ata nuk i publikojnë… tani ka rënë në 1 me 1,25. Prandaj ata janë në panik, sepse kjo është Qeveria më e keqe dhe më korruptive që ka udhëhequr ndonjëherë këtë shtet”, tha Filipçe.
Filipçe iu përgjigj ashpër edhe deklaratave të kryeministrit Mickoski rreth eurointegrimeve, duke e akuzuar atë se pikërisht ai po punon kundër interesave shtetërore.
”Le të dalë kryeministri dhe të shpjegojë se çfarë është gjunjëzimi, çfarë është tradhtia e interesave kombëtare maqedonase… Hristijan Mickoski po bën tradhti kombëtare ndaj interesave maqedonase sepse po punon për shtete të huaja, për Hungarinë, e cila publikisht dhe qartë është vlerësuar nga BE-ja si bashkëpunëtore e Rusisë, ndërsa Rusia nuk ka interes që kjo pjesë e Ballkanit të integrohet në Evropë”, deklaroi Filipçe.







