Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka reaguar ndaj lajmeve të rrejshme që po shpërndahen në rrjetet sociale.
Së fundmi po qarkullon një deklaratë e tij se kinse është kundër UÇK-së.
Ai në postimin e tij demantoi shkrimet, duke thënë se ata që mendojnë se mund ta diskreditojnë me metoda të tilla udbashe, “gabohen rëndë” dhe se do të përballen me drejtësinë.
Reagimi i plotë:
“Kushdo që përdor fotografinë time dhe shpik fjalë që nuk i kam thënë me qëllim për të më dëmtuar, le ta dijë mirë se ka kaluar çdo kufi të lejueshëm. Nuk ka tolerancë për shpifësit e porositur. Do të përballen me drejtësinë, secili prej tyre. Shpifja, montazhi dhe fabrikimi i deklaratave nuk më lëkundin aspak. Përkundrazi, ato më forcojnë edhe më shumë në bindjet dhe rrugën time.”




