
Zv. kryeministri, Arben Fetai njofton se Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në rajon që ka zgjidhur të gjitha rastet e njohura të paishtetësisë që kanë rezultuar nga shpërbërja e RSF Jugosllavisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Një Arritje Historike në Fushën e Shtetësisë dhe të Drejtave të Njeriut Shkup, 3 korrik 2025 – Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në rajon që ka zgjidhur të gjitha rastet e njohura të paishtetësisë që kanë rezultuar nga shpërbërja e RSF Jugosllavisë. Falë përpjekjeve të vazhdueshme të udhëhequra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Parlamentit, 317 individët e fundit që kishin jetuar në një gjendje juridike të pasigurt që nga shpallja e pavarësisë së vendit, tashmë janë pajisur me shtetësi. Për herë të parë, ata do të gëzojnë të drejtat dhe mbrojtjen e plotë që u garantohet qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Këto përpjekje vijnë pak kohë pasi UNHCR shënoi 30 vjet të pranishëm në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, kur Philippe Leclerc, Drejtor Rajonal i UNHCR-së për Evropën, u bëri thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapat e fundit për të zgjidhur të gjitha rastet e mbetura të pashtetësisë që rrjedhin nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë”, thekson Fetai.
Fetai thotë se askush nuk duhet të mbetet pa shtetësi , dhe së bashku, mund të sigurojmë që çdo person në këtë vend të ketë një identitet ligjor dhe një vend ku i përket.
“Kjo arritje historike është kulmi i një procesi 34-vjeçar, i udhëhequr nga një qasje gjithëpërfshirëse që përfshiu Komisionin për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve në Kuvend, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorët kryesorë të saj, përfshirë Sektorin për Shtetësi, Sektorin për të Huaj, Sektorin për Letërnjoftime, si dhe Zyrën e Gjendjes Civile. Përpjekjet e tyre, të mbështetura nga UNHCR, agjenci të tjera të OKB-së, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Këshilli i Evropës (KE) dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian (DBE), kanë çuar përpara ndjeshëm përparimin e vendit në trajtimin e pashtetësisë. Që nga viti 2001, pothuajse 20,000 persona pa shtetësi kanë fituar shtetësinë në Maqedoninë e Veriut”, shton Fetai./Telegrafi/
Fetai: Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në rajon që ka zgjidhur të gjitha rastet e njohura të paishtetësisë appeared first on Telegrafi.