Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, me rastin e festës së Fitër Bajramit theksoi se kjo ditë përfaqëson një nga gëzimet më të mëdha shpirtërore, pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe forcimi të besimit gjatë Ramazani.

Ai nënvizoi se agjërimi nuk ishte vetëm obligim fetar, por dëshmi se besimi jeton përmes veprave, duke nxitur moralin, solidaritetin dhe përgjegjësinë në shoqëri.

Në mesazhin e tij, Fetai bëri thirrje për ruajtjen e paqes, shmangien e konflikteve dhe luftimin e dukurive negative si korrupsioni, narkomania dhe dhuna, duke theksuar se vlerat njerëzore duhet të jenë mbi çdo interes tjetër. Ai uroi që besimtarëve t’u pranohen lutjet dhe sakrificat, duke sjellë më shumë harmoni në familje dhe mirësi në shoqëri.

“Fitër Bajrami është gjithashtu një ditë pajtimi dhe afrimi. Është dita kur duhet të hapim zemrat tona, të falim njëri-tjetrin dhe të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore. Vizitat, urimet dhe buzëqeshjet që shkëmbejmë sot janë shenjë e vlerave të bukura që Islami i kultivon në mesin tonë. Vëllezër dhe motra, Le ta shfrytëzojmë këtë festë për të reflektuar mbi veten tonë dhe për të vazhduar rrugën e mirësisë që e filluam në Ramazan. Le të jemi njerëz të paqes”, tha Reisul ulema h. Hfz. Shaqir ef. Fetai – kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.

Share.
Exit mobile version