Shtohet numri i rasteve të fëmijëve dhe të miturve që kërkojnë ndihmë për shkak të komplikimeve shëndetësore nga konsumimi i pijeve energjetike, njoftojnë nga Reparti i Ndihmës së Shpejtë.
Mjeku Sejfullah Ademi, tregon se përballet çdo ditë me raste të tilla dhe kërkon sensibilizim më të madh të shoqërisë, që jeta e fëmijëve të mos vihet në rrezik.
“Fatkeqësisht, edhe ne si Ndihmë e Shpejtë ballafaqohemi me raste të këtilla, ku shohim që fëmijët konsumojnë në mënyrë të pakontrolluar pije energjetike. Pijet e tilla energjetike nuk janë aspak të preferuara për fëmijët, duke pasur parasysh problemet që mund të ndodhin me takikardinë, gjë që, nëse nuk reagohet në mënyrë adekuate, e vendos në rrezik edhe vetë jetën e fëmijës. Ne, si Ndihmë e Shpejtë, kemi thirrje të tilla dhe dalim në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme në teren, që t’iu afrojmë ndihmën fëmijëve të tillë, por të bëjmë apel pasi komplikimet mund të bëhen të rënda dhe fatkeqësisht të përfundojnë letalisht edhe për fëmijën.” – tha Sejfullah Ademi, mjek i Ndihmës së Shpëjtë.
Ademi nënvizon se për të parandaluar këtë fenomen negativ, duhet vepruar edhe në aspektin ligjor dhe kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve shoqërorë.
“Duhet të ndikojmë si shoqëri këtu edhe në aspektin ligjor, të kërkohet që edhe me ligj të jetë rreptësisht e ndaluar shitja e pijeve energjetike te të miturit. Fatkeqësisht, njerëz të papërgjegjshëm, për arsye të pakta fitimprurëse, bëjnë një gjë të tillë – ju shesin fëmijëve pije energjetike, duke pasur parasysh rrezikun e madh që ndodh pastaj tek fëmijët. Ju bëjmë apel prindërve për kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me fëmijët e tyre, duke u shpjeguar për rreziqet. Atyre të cilët merren me tregti, mos u shisni fëmijëve dhe të miturve pije të tilla, sepse rreziku është i madh për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, ku në mënyrë direkte e vendosin jetën e fëmijëve në rrezik.” – u shpreh Ademi.
Në Maqedoni, aktualisht shitja e pijeve energjetike për fëmijët nuk është e ndaluar me ligj, prandaj mjeku Ademi propozon miratimin e një vendimi të tillë në Kuvend.
Ai thekson se në vendet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, kjo është e rregulluar ligjërisht dhe jep rezultate në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. /RTVM2

