Deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “PodGo”, me të cilin kemi diskutuar për partinë e tij, Qeverinë e re, si dhe koalicionin VLEN.
Ai tha se LSDM në zgjedhjet lokale do të ketë rritje të numrit të votave dhe shpreson që do të arrijnë të fitojnë komuna të reja. Bytyqi tha se votuesit e LSDM-së janë specifik, përkundër atyre të OBRM-PDUKM-së.
“Në vota të përgjithshme do të jemi më mirë se zgjedhjet kuvendare. T’i mbajmë komunat që i kemi është minimumi që e parashikoj, ka mundësi edhe disa komuna të reja të marrim. Nëse shohim çdo vend që kanë udhëhequr kryetarët e OBRM-PDUKM-së, është katrahurë”.
“Votuesi i LSDM-së është specifik, është ideologjik. Kërkon pak më shumë se sa kërkon votuesi i OBRM-PDUKM-së. Tanët kërkojnë mendje të mprehtë dhe ideologjike me vlera. Si në çdo organizatë politika ka individë që mendojnë se përfitimi momental mund tu sjell diçka. Për momentin nuk shoh që kjo LSDM ka tendencë të ndjekjes së rrugës së OBRM-PDUKM-së në rrugën nacionaliste. Jemi grup i mirë i njerëzve që reagojmë në zërin e parë që e vërejmë nëse dikush ka tendencë në atë. Nuk them që ska gabime, por e keni parë se janë përmirësuar ata që kanë deklaruar diçka”, tha Bytyqi.
Në lidhje me Qeverinë e re, ai tha se e sheh si pozitive vazhdimin e zbatimit të Strategjisë kombëtare për zhvillim, e cila është nisur nga ai, kur ka qenë zv.kryeministër për Çështje Ekonomike.
“Ka pasur një iniciativë që e kam filluar unë kur kam qenë zv.kryeministër, ajo është strategjia kombëtare e zhvillimit. Qeveria aktuale e ka vazhduar këtë. Mënyra se si është zhvilluar ne e kemi përfshirë edhe opozitën e atëhershme. E mira e saj është që ata po vazhdojnë edhe me zbatimin. Do të doja që të ketë më shumë mjete. Ky është hap se si duhet të zhvillohen gjërat në një shtet. Ne jemi oponent politik, por duhet të ofrojmë zgjidhje të përbashkëta për problemet”, tha Bytyqi.
E pyetëm edhe për koalicionin VLEN, të cilët janë pjesë e Qeverisë së bashku me OBRM-PDUKM-në, ndërsa tha se “ndryshimi nuk vjen vetëm me dërgimin e një partie politike në opozitë”.
“Ndryshimi nuk vjen vetëm me dërgimin e një partie në opozitë, siç ishte me VLEN-in. Ndryshimi vjen nëse e ndjen qytetari, nëse është më i sigurt, për momentin e them me bindje, që jo vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët, e ndjejnë veten më të pasigurt. Përnjëherë brenda 10 muajve na u sollën problemet ndëretnike në tavolinë. Rastet e fundit që ndodhen brenda VLEN-it, për mua mendoj se kjo nuk i duhej, pasi sjell në tavolinë atë që shqiptarët e kanë ditur, që është përçarja”, tha Bytyqi mes tjerash.
Ai në fund të emisionit bëri thirrje edhe për vozitje të kujdesshme, duke dhënë këshilla për pjesëmarrësit në komunikacion./Telegrafi/
Fatmir Bytyqi në “PodGo” – flet për LSDM-në, VLEN-in dhe OBRM-PDUKM-në appeared first on Telegrafi.