Me 43 vota “pro” dhe 17 “kundër”, Komiteti për Punë të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian miratoi raportin për Maqedoninë e Veriut.

Eurodeputetët porositën se përparimi në reforma mbetet i pamjaftueshëm, se ekziston një polarizim i fortë politik dhe paralajmëruan për ndërhyrje të huaja me ndikim negativ dhe fushata dezinformimi.

U miratuan 11 amendamente kompromisi, përmbajtja e të cilave ende nuk është bërë publike, si dhe dy amendamente të eurodeputetëve bullgarë që kërkojnë rezultate nga Komisioni Historik me Bullgarinë dhe zbatimin e protokolleve.

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, në fjalimin e tij para anëtarëve të AFET-it, e cilësoi raportin si një dosje të vështirë që ishte përgatitur me mbështetjen e pesë grupeve politike në Parlamentin Evropian.

Eurodeputetët theksuan se e mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por shprehën keqardhje për mungesën e progresit që nga raporti i fundit për vendin. Ata vlerësuan se përparimi në sundimin e ligjit, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit është i pamjaftueshëm. Gjithashtu, u bënë thirrje të gjitha partive politike në vend të largohen nga retorika e ashpër dhe të bashkëpunojnë për avancimin e procesit eurointegrues. Njëkohësisht, paralajmëruan për ndërhyrje të huaja dhe fushata dezinformimi.

Parlamenti Evropian, duke shprehur shqetësim për mungesën e progresit në pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet kundër korrupsionit, vlerëson se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha. Eurodeputetët theksuan hendekun mes hetimeve të publikuara dhe vendimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke nënvizuar se rritja e qëndrueshme ekonomike varet nga forcimi i sundimit të ligjit dhe parashikueshmëria juridike.

Janë miratuar edhe amendamentet 371 dhe 374, me të cilat eurodeputetët bullgarë kërkojnë rezultate konkrete nga Komisioni i Përbashkët Historik me Bullgarinë, duke iu referuar nenit 12 të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë. Ata kërkojnë mbajtjen e Komisionit të Tretë Ndërqeveritar mes Shkupit dhe Sofjes dhe zbatimin e protokolleve të dakorduara.

Në një nga amendamentet thuhet se mbledhja e fundit e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i formuar sipas nenit 12 të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, është mbajtur më 17 korrik 2022 dhe që prej atëherë nuk është zhvilluar asnjë seancë tjetër. Për këtë arsye, qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ftohen që sa më shpejt të organizojnë seancën e tretë të komisionit për të vazhduar zbatimin e marrëveshjes dhe protokolleve të saj.

Po ashtu, bëhet thirrje e fuqishme që Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të arrijë rezultate të qarta dhe të prekshme. Tekstet, sipas amendamentit, duhet të pasqyrojnë interpretimin e fakteve dhe figurave historike nga historia e përbashkët e dy popujve, duke u bazuar në burime autentike, dokumente të verifikuara, interpretim shkencor dhe dëshmi historike, ashtu siç parashihet në Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë.

Ende nuk dihet nëse amendamenti 108 i raportuesit Waitz është përfshirë në amendamentet kompromisi që u miratuan sot në AFET. Me këtë amendament kërkohej që shërbimi juridik i Këshillit Evropian të vlerësojë nëse Protokolli i Dytë me Bullgarinë është pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Raporti për Maqedoninë e Veriut u votua shpejt gjatë seancës së sotme, ndërsa raportuesi Waitz në fund përsëriti shkurt se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian. Hapi i radhës është votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, i cili pritet të zhvillohet deri në fund të këtij muaji.

Share.
Exit mobile version