Ka kaluar afati ligjor prej 8 ditësh në të cilin gjyqtari Bexheti kishte të drejtë ankese në Komisionin për ankesa pranë Gjykatës Supreme, pasi në seancë të mbyllur për publikun më 26 maj, Këshilli Gjyqësor duke vepruar sipas një nisme për përcaktimin e përgjegjësisë, vendosi ta shkarkojë Enver Bexhetin nga pozita e gjyqtarit të Apelit.
Nga Gjykata Supreme informuan për Alsat se Bexheti nuk është ankuar, që do të thotë se vendimi i Këshillit Gjyqësor bëhet i plotfuqishëm dhe ai nuk do ta ushtrojë më funksionin e gjyqtarit.
Megjithatë, që kjo të ndodhë, Këshilli Gjyqësor më parë duhet edhe zyrtarisht ta publikojë vendimin për shkarkimin e Bexhetit, por edhe pse kërkuam përgjigje nga kryetari i Këshillit, Aleksandar Kambovski, ai mbeti i pa qasshëm për të sqaruar kur Këshilli do ta njoftojë opinionin. Pas publikimit të vendimit, në të do të duhet të bëhen publike edhe arsyet për të cilat Këshilli ka vendosur ta shkarkojë Bexhetin.
Sipas ligjit, procedura për shkarkimin e një gjyqtari është e fshehtë dhe deri më tani Këshilli nuk ka zbuluar për cilat arsye është kërkuar përgjegjësi nga Bexheti, duke pasur parasysh se më herët Këshilli Gjyqësor e kishte dënuar vetëm me gjobë për vjetërsimin lëndës për përgjimet. Vendimi për shkarkimin e Bexhetit vjen gjashtë muaj pasi ai, bashkë me zëvendëskryeministrin në arrati Artan Grubi, përfundoi në listën e zezë të SHBA-ve për shkak të përfshirjes në korrupsion dhe ryshfet për rastin “Target-Fortesa”, në të cilin u dënua ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov.
Për mbajtjen e lëndës në sirtar dhe për dënimet e buta nga Këshilli Gjyqësor, edhe Prokuroria ka hapur lëndë, por rasti ende ndodhet në fazën parahetimore. Nga Prokuroria thonë se ende po mblidhen prova për këtë rast, ndonëse ka kaluar gjysmë viti. Pas një zvarritjeje të gjatë, tani mbetet që Këshilli ta publikojë vendimin që ai edhe zyrtarisht të shkarkohet.
Enver Bexheti nuk është ankuar për shkarkimin e tij, Këshilli duhet ta publikojë vendimin appeared first on Telegrafi.