Partia politike “E Majta” ka njoftuar se nuk do ta mbështesë projektligjin e ri për energjinë, duke e akuzuar atë për thellim të mëtejshëm të procesit të liberalizimit të tregut në një nga fushat më kritike strategjike.

“Ky Projektligj tregon qartë se shteti nuk ka as qëllimin dhe as planin për të nacionalizuar kapacitetet energjetike dhe për t’i vënë ato në shërbim të interesit publik”, thekson partia.

Sipas tyre, me liberalizimin, sektori i energjisë bëhet pre e lehtë për kapitalin e huaj, i cili, siç thonë ata, “i motivuar ekskluzivisht nga interesat e fitimit, nuk do të ketë asnjë detyrim për të mbrojtur interesat kombëtare ose për të siguruar çmime të përballueshme për qytetarët”.

E Majta paralajmëron se përvojat nga vendet e tjera tregojnë se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike çon në rritje të mëdha të çmimit të energjisë elektrike, duke rritur pabarazitë sociale dhe duke ulur cilësinë e shërbimit.

“Në vend që të forcojë rolin e shtetit dhe ndikimin publik në energji, ligji i ri krijon kushte për dominim të mëtejshëm të operatorëve privatë dhe monopolistëve në dëm të qytetarëve dhe drejtësisë sociale”, thonë nga E Majta.

Edhe pse nuk e mbështesin ligjin në tërësi, partia informon se ka paraqitur një sërë amendamentesh, që synojnë të zbutin “aspektet më të dëmshme të zgjidhjes ligjore të propozuar”.

Me amendamentet e paraqitura, partia kërkon që Parlamenti “të forcojë rolin e shtetit në energji, të mbrojë energjinë elektrike si një e mirë publike dhe të sigurojë çmime të përballueshme dhe faturim transparent për të gjithë qytetarët”.

E Majta thotë se do të vazhdojë të kundërshtojë në mënyrë aktive “çdo përpjekje për të privatizuar të mirat publike, për të liberalizuar sektorët strategjikë dhe për të hequr dorë nga sovraniteti shtetëror”.

“E Majta”: Nuk e mbështesim ligjin e ri për energjetikë, jo më privatizim por forcim të tregut energjetik vendor appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version