Kryetarja e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska, nuk jep dorëheqje nga funksioni, edhe pse i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë. Ajo është pjesë e të dyshuarve në rastin “Aditiv”, për shkak të nxjerrjes së sekretit zyrtar njërit prej të përfshirëve në rastin e furnizimit të paligjshëm me mazut. Në shkresën drejtuar mediave, Dimitrovska ka shprehur keqardhje për komunikimin që kishte me, siç thotë ajo, mikun e familjes, duke theksuar se nuk ka pasur qëllim për të ndikuar në hetim.
“Komunikimi im me një mik familjar, i cili më vonë u bë i akuzuar në rastin ‘Aditiv’, ka ndodhur para se të niste procedura ndaj tij nga Prokuroria kompetente. Nga kumtesa e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsionin shihet se komunikimi ynë ka zgjatur deri në dhjetor 2024, pra para se t’i shqiptohej masa e paraburgimit. Pas kësaj mase ndaj tij, unë e ndala komunikimin”, tha Tatjana Dimitrovska.
Për shkak të ngjarjeve që lidhen me Dimitrovskën, ish-anëtarë të Antikorrupsionit kanë kërkuar që ajo të japë dorëheqje, për shkak se dëmtohet besueshmëria dhe kredibiliteti i institucionit në opinion. Sipas Dimitrovskës, integriteti i institucionit nuk duhet të kontestohet dhe se ajo pret epilog të shpejtë për rastin.
“Parimi i prezumimit të pafajësisë, pra se çdo njeri është i pafajshëm derisa të dëshmohet e kundërta, si dhe parimi i sundimit të së drejtës, duhet të respektohen. Gjashtë anëtarët e tjerë të institucionit që përfaqësoj nuk kanë asnjë lidhje me veprën për të cilën jam e dyshuar”, tha Dimitrovska.
Dimitrovska: Më vjen keq për komunikimin me mikun e familjes, s’kam ndikuar në hetim appeared first on Telegrafi.