Ministrija e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska njofton se është përmbyllur pagesa e eurobondit të emetuar në vitin 2020 në vlerë totale prej 700 milionë eurosh.
“Zyrtarisht është përmbyllur pagesa e eurobondit të emetuar në vitin 2020 në vlerë totale prej 700 milionë eurosh. Me këtë e kemi përmbushur plotësisht obligimin ndaj investitorëve. Paratë nga ana jonë janë paguar javën e kaluar, ndërsa sot kanë mbërritur në llogaritë e investitorëve.
Fondet për këtë qëllim u siguruan në kohën e duhur në janar të këtij viti, në përputhje me dinamikën e planifikuar dhe Buxhetin e vitit 2026.
Që nga marrja e përgjegjësisë për menaxhimin e financave publike deri më sot, janë shërbyer detyrime në një shumë totale prej 4.6 miliardë eurosh. Në periudhën në vijim, ne do të vazhdojmë me menaxhimin e përgjegjshëm dhe të kujdesshëm të borxhit publik dhe shërbimin në kohë të të gjitha detyrimeve shtetërore.
Prioriteti ynë mbetet ruajtja e financave publike të qëndrueshme, konsolidimi fiskal, ulja graduale e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe sigurimi i fondeve për investime dhe zhvillim ekonomik”, njofton ministrja Dimitrievska-Koçoska./Telegrafi/
