Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në kuadër të Takimeve Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat po mbahen në Uashington, zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e Thesarit të SHBA-së (U.S. Department of the Treasury), Zyrës së Ndihmës Teknike (Office of Technical Assistance – OTA).
Në këtë takim u konfirmua bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe konstruktiv midis Ministrisë së Financave dhe Thesarit të SHBA-së, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të financave publike, përforcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe modernizimin e sistemeve financiare.
“Në fokus të diskutimeve ishte edhe progresi për realizimin e projekteve të vazhdueshme të asistencës teknike në fushat e menaxhimit të borxhit publik, zhvillimit të tregut të letrave shtetërore me vlerë, administratës tatimore dhe doganore, si dhe përforcimit të sistemeve të mbikëqyrjes financiare dhe luftës kundër krimit financiar”.
“Theks i veçantë u vu në aktivitetet që lidhen me zhvillimin e platformës së re për ankandet e letrave shtetërore me vlerë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të mëtejshëm me të gjitha institucionet relavante dhe partnerët nga Thesari i SHBA-së, me qëllim zbatimin në kohë dhe me sukses të zgjidhjes efikase, transparente dhe moderne”, thonë nga Ministria e Financave.
“Bashkëpunimi teknik me Thesarin e SHBA-së është kyç për modernizimin e financave publike dhe avancimin e tregjeve të kapitalit në vend. Së bashku po punojmë në zgjidhje konkrete, nga platforma e re për ankandet e letrave shtetërore me vlerë deri te përforcimi i administratës tatimore dhe doganore, me qëllim rritjen e efikasitetit, transparencës dhe stabilitetit të sistemit”, theksoi ministrja.
Gjithashtu, u shqyrtua progresi i reformave në sistemin tatimor dhe doganor, avancimi i menaxhimit të risqeve, dixhitalizimi i proceseve, si dhe përforcimi i kapaciteteve institucionale përmes trajnimeve dhe transmetimit të praktikave të mira ndërkombëtare.
Në takim u theksua përkushtimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit, si dhe përkrahja e proceseve reformuese që kontribuojnë në stabilitet më të madh fiskal, efikasitet të financave publike dhe rritje ekonomike.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska theksoi se partneriteti strategjik me Thesarin e SHBA-së paraqet nxitje të rëndësishme për avacimin e financave publike dhe kapaciteteve institucionale në vend.

