Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për krijimin e sistemit më rezistent, stabil dhe efikas të financave publike. Përmirësimi i kornizës fiskale është në interes të stabilitetit ekonomik dhe zhvillimit afatgjatë të vendit. Kjo u deklarua nga ministrja e Financave në diskutimin mes ekspertëve me temën “Efikasiteti i financave publike dhe roli i rregullave fiskale në Maqedoninë e Veriut”, në organizimin e Këshillit Fiskal, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
“Menaxhimi bashkëkohor i financave publike kërkon vizion afatgjatë, rregulla të qarta dhe stabilitet institucional që mundësojnë parashikueshmëri, disiplinë dhe përgjegjësi në vendimmarrje. Politika fiskale në periudhën e ardhshme do të përballet me një sfidë komplekse të balancimit ndërmjet nevojës për konsolidim dhe nevojës për zhvillim. Prandaj është i domosdoshëm menaxhimi i kujdesshëm, institucionet e fuqishme dhe zbatimi konsekuent i rregullave fiskale”, theksoi ministrja.
Ajo theksoi se debati i sotëm po zhvillohet në fazën e miratimit të Strategjisë fiskale për periudhën 2027-2031 si kornizë kruciale për menaxhimin afatmesëm të financave publike.
“Kjo strategji është rezultat i përcaktimit të qartë për menaxhim të përgjegjshëm dhe të disiplinuar të mjeteve publike në kushte të rritjes së risqeve globale, paqëndrueshmërisë energjetike dhe nevojës për ta ruajtur stabilitetin makroekonomik. Strategjia synon të sigurojë rrugë fiskale të qëndrueshme dhe të parashikueshme, pa çrregulluar aktivitetin ekonomik dhe sigurinë sociale të qytetarëve”, tha Dimitrieska-Koçoska, duke shtuar se parashikon ulje graduale të deficitit buxhetor respektivisht në nivel prej 2.8% në periudhën deri në vitin 2031.
Sipas saj, ky është sinjal i qartë i përcaktimit për konsolidimin gradual fiskal dhe përafrimin me standardet fiskale evropiane, si dhe për përforcimin e besueshmërisë së politikës fiskale. Ajo sqaroi se, në drejtim të arritjes të këtyre qëllimeve, Qeveria do të zbatojë masa të vazhdueshme si në anën e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve të buxhetit për sigurimin e qëndrueshmërisë, efikasitetit dhe transparencës më të madhe në menaxhimin e financave publike./Telegrafi/

