Numri i personave të prekur nga sëmundjet inflamatore të zorrëve në vend po rritet vazhdimisht. Mjekët theksojnë se stresi është një ndër faktorët kyç që ndikon në përkeqësimin e simptomave. Megjithatë, sfidë serioze në sistemin shëndetësor mbetet mungesa e infermierëve dhe e stafit teknik.

“Numrat çdo ditë rriten pasi prevalenca botërore është rreth 200-300 banorë në 100 mijë banorë, pra nëse kemi 1 milionë e 800 mijë banorë, numri do të jetë 200 banorë në 100 mijë, pra numri është në rritje. Ka ndikime gjenetike, ka faktorë të rrethit, më i rëndësishëm është stresi…numri është në rritje sidomos në zonat e industrializuara”, deklaroi Meri Trajkovska, drejtoreshë e Klinikës së Gastroenterohepatologjisë.

Qytetarët ende nuk kanë nivelin e duhur të ndërgjegjësimit për këtë lloj sëmundje, ndaj shumë pacientë paraqiten te mjeku në fazë të avancuar.

“Jo vetëm që nuk janë të vetëdijshëm, po edhe për shkak të natyrës së sëmundjes, pra bëhet fjalë për diarre kronike, për ata është e pa këndshme të paraqiten në mjek. Kalon një kohë e gjatë kur paraqiten në një fazë të avancuar dhe kur nuk mund të funksionojnë, dhe kur kalon faza e parë që duhet të kapet që terapia të jetë e suksesshme. Shpesh na vijnë në një fazë të rëndë të sëmundjes”, u shpreh Meri Trajkovska, drejtoreshë e Klinikës së Gastroenterohepatologjisë.

Pacientët thonë se përballen me sfida të përditshme, pasi sëmundja ndikon në jetën dhe aktivitetet e tyre të zakonshme. Ata shprehen se qasja në terapi moderne do t’ua lehtësonte trajtimin dhe do t’ua përmirësonte cilësinë e jetës. Sipas të dhënave botërore, rreth 10 milionë persona në mbarë botën vuajnë nga sëmundjet inflamatore të zorrëve.

Share.
Exit mobile version