
Shumica e deputetëve të koalicionit VLEN, në ueb-faqen e Kuvendit janë regjistruar si deputetë të Lëvizjes Besa. Përveç deputetit dhe kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, deputetët tjerë të VLEN-it në ueb-faqe figurojnë si deputetë të Lëvizjes Besa.
Gabim me qëllim ose jo, shërbimet e Kuvendit kanë bërë edhe me deputetin Ilir Demiri, i cili sipas Kuvendit është i pavarur, por ai tashmë ka kaluar në radhët e VLEN-it.Deputetët si Bekim Qoku, Mimoza Musa, Saranda Imeri-Stafai, Merita Kollçi-Koxhaxhiku, Imerlije Saliu-Fetai, Feride Haxhiu dhe Zeqirja Tairi, janë regjistruar si deputetë të Lëvizjes Besa.
Kemi pyetur në Kuvend për këtë çështje, prej ku thanë se bëhet fjalë për gabim teknik.
“E kemi biseduar edhe në brifing, është gabim teknik, dhe kemi bë kërkesë që të rregullohet, sektori po merret me çështjen. Besoj shpejt e rregullojnë”, thonë nga Kuvendi.
Ndryshe, Koalicioni VLEN përbëhet nga katër parti (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët), si dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Funksionarët e VLEN-it kanë paralajmëruar kongresin e parë të VLEN-it, për më 9 maj, dita kur edhe pritet që koalicioni të shndërrohet në një parti. Për momentin VLEN në Kuvend përfaqësohet me 12 deputetë, së bashku me Ilir Demirin./Telegrafi/











