
Pr/Ligjit të ri për arsimin e lartë sëshpejti pritet të hyjë në procedurë parlamentare. Sipas MASH, projektligji është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës me pjesëmarrje të gjerë të profesorëve, komunitetit akademik dhe publikut.
Nga ky institucion theksohet se paketa e re ligjore synon përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe aktualisht ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjes.
“Shumë shpejt zgjidhjet ligjore do të hyjnë në procedurë parlamentare, menjëherë pas integrimit të të gjitha vërejtjeve të arsyetuara nga debati publik. Qëllimi i Ligjit të ri për arsimin e lartë është të rrisë cilësinë e edukimit akademik, e cila ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, si dhe të sigurojë më shumë të drejta dhe mundësi për palët e përfshira. Ligji parashikon shumë risi, për shembull për studentët që me bursë shtetërore studiojnë në 100 universitetet më të mira në botë, ose që studiojnë në Maqedoni dhe janë fitues të “Unazës Inxhinierike” apo janë shpallur studentët më të mirë të universitetit – ata do të kenë përparësi gjatë punësimit në universitetet shtetërore, si kuadër mësimor-shkencor.” – thonë për TVM2 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Sipas tyre parashikohet gjithashtu një mënyrë e re e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, me komponent zhvillimor dhe shpërblim më të madh për institucionet që arrijnë rezultate më të larta.
Gjithashtu nga MASH,thonë se projektligji synon të rrisë konkurrencën dhe cilësinë, të forcojë avancimin akademik përmes publikimeve në revista me ndikim, të ofrojë programe të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë dhe studime profesionale, si dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar, diploma të dyfishta, transparencë dhe llogaridhënie duke garantuar autonominë universitare.
Mirëpo, pro-rektori i UNT-nëBenjamin Bela, thotë se projektligji është i dëmshëm për universitetet shqiptare, të cilat janë më pak të konsoliduara. Ai ka shprehur disa kërkesa kryesore, që lidhen me autonominë universitare, financimin, barazinë zhvillimore dhe sigurinë profesionale, duke kërkuar gjithashtu që në procesin e reformave të përfshihen të gjithë akterët relevantë, përfshirë studentët, sindikatat dhe odat ekonomike.
“Duke marrë parasysh rrethanat, kërkesat dhe sugjerimet që janë paraqitur nga universitetet në përgjithësi, e në veçanti nga universitetet shqiptare, të cilat janë më pak të konsoliduara për programe studimore dhe staf akademik. Duke përfaqësuar UNT-në, nga aktualiteti kemi dërguar, qoftë përmes senatit, qoftë përmes grupit punues brenda universitetit, pesë sugjerimet kryesore: autonomia universitare, çështja financiare, avancimi i drejtë dhe proporcional, barazia zhvillimore mes universiteteve, si dhe siguria juridike dhe stabiliteti profesional. Gjithashtu, kemi kërkuar që reformat të përfshijnë në Këshillin mbikëqyrës sindikatat, studentët dhe odat ekonomike, pra të gjithë akterët relevantë”, deklaroi prorektori i “UNT”-së, Bunjamin Bela.
Debati mbetet i hapur, me thirrje për rishikim dhe përfshirje më të madhe të palëve të interesuara.




