
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë nesër një vizitë njëditore në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Pas takimit, siç njofton shërbimi qeveritar për shtyp, është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp midis Mickoskit dhe Costas në Qeveri.
Kryeministri Mickoski sot në një deklaratë për mediat tha se, me ftesë të Costas, ai do ta shoqërojë atë në fluturimin e tij nga Shkupi për në Tiranë, ku Presidenti i Këshillit të BE-së do të shtrojë një darkë për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ndërsa të premten do të kenë një takim të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.
Mickoski poashtu deklaroi se Costas do t’ia përcjell pikëpamjet e tij mbi ndryshimet kushtetuese.
“Qëndrimet tona janë të qarta në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe këtu nuk ka asnjë ndryshim, sepse nga ana tjetër nuk shohim, të paktën në këtë moment, asnjë sinjal se ka një ndryshim në sjellje, pra nga ana e fqinjit tonë lindor. Më vjen keq që është kështu dhe shpresoj që në periudhën që vjen do të flasim më shumë për zgjidhje sesa për probleme”, theksoi Mickoski, në përgjigje të pyetjes së një gazetari se cilat janë pritjet nga vizita dhe cilat mesazhe do të përcillen.
Vizita e Costas në Shkup është pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të të cilit ai më parë vizitoi Beogradin, Sarajevën, Prishtinën dhe qëllimi i saj është të konfirmojë angazhimin e BE-së ndaj rajonit dhe perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE./Telegrafi/
Costa nesër viziton Shkupin, Mickoski: Do t’ia përcjell pikëpamjet tona mbi ndryshimet kushtetuese appeared first on Telegrafi.