Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e mësuam nga mediat, ende nuk kemi marrë njoftim zyrtar. Zakonisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, por ky Vendim do të thotë që tani absolutisht liberalizohet procedura për përjashtimin e konsumatorëve nga sistemi i energjisë termike. Kjo mund të çojë në një numër më të madh të konsumatorëve të përjashtuar, që nga ana tjetër do të ndikojë negativisht në çmimin e energjisë termike, pra do të çojë në rritjen e saj, tha sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski.
Sipas tij, rritja e numrit të konsumatorëve që do të ngrohen me energji elektrike do të ngarkojë veçanërisht sistemin distributiv në Shkup i cili është projektuar me nënstacione dhe rrjet me kapacitet më të dobët në zonat ku ka sistem të organizuar për energji termike.
“Veçanërisht frikësohem se nëse ata konsumatorë që do të përjashtohen fillojnë të ngrohen me energji elektrike, do ta ngarkojnë sidomos sistemin distributiv në Shkup. Ne si KRRE do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por po them se çfarë do të thotë kjo në praktikë – mundësi për përjashtimin më të lehtë, ulje të numrit të konsumatorëve të energjisë termike, gjë që mund të çojë në rritje të çmimit të ngrohjes dhe do të kemi amvisëri që do të ngrohen më shumë me energji elektrike”, theksoi Bislimovski,
Lidhur me ndërprerjen e rrymës fundjavën e kaluar në pothuajse gjithë Maqedoninë, MEPSO, theksoi Bislimovski, deri sot duhet të dorëzojë informacion të plotë për atë që ka ndodhur. Ai vlerësoi se raporti nga Spanja dhe Portugalia për ndërprerjen e energjisë elektrike do të jetë një përvojë e mirë për të gjithë operatorët e tjerë të sistemeve të transmetimit në Evropë.
Sipas tij, tensionet më të larta rregullohen edhe me rezervat sistemore.
“MEPSO në periudhën e ardhshme do të shpall tender për vendosjen e një baterie më të madhe kondensatore në Negotinë dhe ky problem do të tejkalohet në periudhën e ardhshme. Në regjimet kritike të punës, operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike kudo në Evropë, përfshirë edhe Maqedoninë, ka detyrim të marrë masa për të mbajtur të qëndrueshëm sistemin e përgjithshëm”, theksoi Bislimovski.
Ai shtoi se me Ligjin e ri për energjetikë mundësohet vendosja e sistemeve me bateri.
“Besoj se në periudhën e ardhshme do të ndodhë sepse ka shumë pronarë të centraleve fotovoltaike që janë të interesuar për vendosjen e sistemeve me bateri. Ata do të kenë të drejtë të vendosin sisteme me bateri me fuqi të barabartë me fuqinë e centraleve të tyre fotovoltaike. Do të jetë detyrim që te të gjitha centralet fotovoltaike dhe aty ku ka sisteme me bateri, të vendosen pajisje për menaxhim në distancë të sistemeve. Po shqyrtohet mundësia që një pjesë e kapacitetit të baterive t’i jepet MEPSO-s për shërbime sistemore, pra për balancim, për një kompensim përkatës në treg”, informoi Bislimovski.
Bislimovski: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të çojë në shtrenjtimin e energjisë së ngrohjes appeared first on Telegrafi.