
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka autorizuar zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, që të jetë përfaqësues zyrtar në Kuvend për mbrojtjen e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat gjatë procedurës parlamentare.
Sipas vendimit, Sali, si përfaqësues i VLEN, do të ketë mandat të plotë për të prezantuar dhe arsyetuar para deputetëve dispozitat e propozim-ligjit. Në kuadër të këtij procesi, parashihet edhe themelimi i një trupi koordinues qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri shqiptar dhe do të ketë për detyrë monitorimin dhe garantimin e zbatimit të ligjit – një mekanizëm që, sipas autoriteteve, nuk ka ekzistuar për më shumë se dy dekada.
Ligji për përfaqësim të drejtë tashmë ka marrë “dritë jeshile”, duke përfshirë edhe sugjerimet e Komisioni i Venecias.
Ai vjen si pasojë e heqjes së mekanizmit të ashtuquajtur “balancues” nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut dhe synon të sigurojë përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.


