Maqedonia e Veriut duhet të kalojë pa vonesë në fazën tjetër të negociatave të pranimit me BE-në, duke përmbushur angazhimet e marra tashmë, përfshirë ndryshimet kushtetuese, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ky është rekomandimi i miratuar nga deputetët dhe eurodeputetët e RMV-së në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut, i cili mbajti një takim në Strasburg. Komiteti u drejtua nga Ivanka Vasilevska, deputete nga OBRM-PDUKM, dhe Carlo Ressler nga Parlamenti Evropian.
Rekomandimi i dytë thotë kategorikisht se zgjerimi duhet të vazhdojë brenda kornizës së kritereve të Kopenhagenit, mbi parimin e meritave të veta dhe kritereve të përmbushura, duke përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese, pra përfshirjen e bullgarëve. Raportuesi i PE-së për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, bëri gjithashtu një deklaratë në këtë drejtim.
“Faza tjetër e negociatave të pranimit duhet të zhvillohet pa vonesa të panevojshme dhe sapo të përmbushen kushtet përkatëse të përcaktuara nga Këshilli; në këtë drejtim, ajo bën thirrje për hapa vendimtarë për të çuar përpara procesin e negociatave në përputhje me kornizën negociuese të BE-së dhe për të zbatuar angazhimet e marra më parë, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese të dakordësuara; ajo mirëpret zhvillimin e mëtejshëm të integrimit gradual të vendeve kandidate në BE, por thekson se kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një alternativë ndaj një rruge të besueshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në rekomandimin e Komitetit.
Në dokumentin me 23 rekomandime, Komiteti thekson gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira nga ana e Maqedonisë së Veriut me fqinjët e saj, nëpërmjet respektimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë./Telegrafi/

