Nga BDI sot thonë se pikërisht një vit pasi Gjykata Kushtetuese hoqi “balancuesin”, mjetin për punësim në bazë të kombësisë në institucionet shtetërore, situata me përfaqësimin e shqiptarëve në institucione po përkeqësohet.
Nga atje kërkojnë që partia të tërheqë projektligjin për përfaqësim të barabartë, të përgatitur nga qeveria aktuale, dhe të kthejë “balancuesin”, i cili sipas integratorëve është në frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe Kushtetutës së vendit
“U bë plot një vit nga vendimi “politik, jo juridik” i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizua balancuesi – mekanizmi i vetëm që garantonte ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në institucionet publike të shtetit.
Një vit më pas, pasojat janë të qarta, të dhimbshme dhe alarmante.
Ky vendim nuk ishte teknik, as administrativ. Ishte politik dhe antikushtetues, sepse synonte fshirjen e deklarimit etnik dhe çmontimin e të drejtave kolektive të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe të sanksionuara me Amendamentin VI të Kushtetutës.
Në fakt, ky ishte një sulm institucional ndaj barazisë dhe një kthim i hapur para vitit 2001, në kohën kur shqiptarët përbënin më pak se 0,2% të administratës shtetërore.
Para heqjes së balancuesit, shqiptarët përfaqësoheshin me rreth 22% në administratë – një përqindje që po rritej gradualisht vit pas viti.Pas shfuqizimit të këtij mekanizmi, sipas të dhënave publike, në shumicën e institucioneve shtetërore përqindja e shqiptarëve në punësimet e reja nuk kalon as 5%, dhe shumica janë anëtarë të “familjes së ngushtë”.
Kjo do të thotë se procesi nuk po ecën përpara – po ecën mbrapa, dhe brenda një periudhe të shkurtër përfaqësimi real do të bjerë nën 20%”, tha nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi në një konferencë për shtyp.
Nga atje shtojnë se ky është një spastrim i heshtur institucional, që po ndodh me heshtjen e qeverisë dhe me përkrahjen e atyre që duhej ta mbronin barazinë, jo ta varrosnin atë./Telegrafi/