Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot në kuadër të mbledhjes së 142-të mori vendim për miratimin e akreditimeve për organizatat ndërkombëtare dhe vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.

Për Shoqatën Qytetare Civil – Qendra për Liri Shkup u miratuan 51 vëzhgues, 12 shtesë për Parlamentin Evropian, 36 për Shoqatën Qytetare për Forcimin e Vlerave Demokratike Trisi Konstaltiks-Shkup, dy për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të Moldavisë, 98 për ODIHR, 398 akreditime për Shoqatën për Zhvillimin e Inovacioneve Sociale Vejk ap, 27 për Institutin për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare – Ohër, 20 për Rrjetet Kombëtare Gratë për Gratë, katër për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në vend dhe 12 akreditime për vëzhgues u miratuan për Ambasadën Britanike në vend.

“Gjithsesi, do ta respektojnë kodin e sjelljes dhe të rregullave në vetë vendet e votimit. Me këtë të drejtë të tyre të realizuar të vëzhgimit, munden në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kudo që duan vëzhguesit të shkojnë dhe të vëzhgojnë zgjedhjet e tona lokale për këtë vit”, tha anëtarja e KSHZ-së, Svetllana Karapetrova.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko sqaroi se formalisht skadon afati për dorëzimin e kërkesave për vëzhgim, por se derisa ka kushte kohore objektive për shqyrtimin e kërkesave do të pranohen. I luti të interesuarit sa më shpejtë të dorëzojnë kërkesa për akreditime për vëzhgues, që të mos e lënë për ditët e fundit para zgjedhjeve.

“Nuk do të ketë kurrfarë problemi edhe nëse jashtë afatit mbërrijnë kërkesa shtesë, ne në interes të procesit dhe transparencës të gjitha do t’i miratojmë dhe pranojmë. Por, lusim nëse ende ka të interesuar këtë ta bëjnë sa më shpejtë në ditët në vijim, të mos lëmë për ditët e fundit para zgjedhjeve”, tha Kondarko.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, teksa kutitë e votimit do të hapen nga ora 07:00 deri në ora 19:00.

Share.
Exit mobile version