Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar nga institucionet kompetente të publikojnë listën e kompanive përfituese nga kredia hungareze prej 200 milionë eurosh. Partia thekson se nuk ka transparencë për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe përfituesit konkretë.
Nga BDI thonë se sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, prodhimi industrial ka rënë për 9,4% në janar krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Numri i të punësuarve në sektorin industrial ka shënuar një ulje prej 3,6%.
“Rënie plot 9.4% të prodhimit industrial!!! Kush janë përfituesit e 200 milionë Eurove nga kredia hungareze? Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, informojmë qytetarët se prodhimi industrial ka shënuar rënie drastike prej 9.4% krahasuar me janarin e vitit paraprak. Ky është një tregues i qartë se mbi 200 milionë euro nga kredia hungareze nuk kanë dhënë asnjë efekt në zhvillimin ekonomik të vendit. Përkundrazi, ende sot nuk ka transparencë se si janë shpërndarë këto mjete dhe kush janë përfituesit e tyre.
Për më tepër, të dhënat tregojnë edhe një rënie prej 3.6% të numrit të të punësuarve në sektorin industrial, një sinjal alarmi për ekonominë dhe për standardin jetësor të qytetarëve. Kjo situatë dëshmon për një përkeqësim të vazhdueshëm të gjendjes ekonomike, ndërsa qeveria nuk ndërmerr masa konkrete në mbështetje të qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, buxheti i shtetit përballet me presione serioze. BDI u bën thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të publikojnë listën e kompanive përfituese nga kredia hungareze. Rënia e prodhimit industrial ngre me të drejtë pyetjen: ku kanë përfunduar këto mjete dhe si janë investuar ato? Qeveri duhet menjëherë të informojë qytetarët, të cilët në fund do të mbajnë barrën e kthimit të kësaj kredie 200 milionëshe – për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe përfituesit konkretë”, thonë nga BDI.

