
Nga BDI thonë se pas rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria kanë qëndruar në heshtje dhe nuk kanë marrë asnjë masë konkrete.
“Prej një jave qytetarët përballen me një rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe të derivateve të naftës. Në këtë periudhë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria ka qëndruar në heshtje, pa asnjë masë konkrete për të zbutur presionin mbi buxhetet familjare”.
“Nga e hëna pritet një rritje e re e çmimeve të derivateve. Kjo do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në çmimet e transportit, të ushqimit dhe të shërbimeve, duke e rritur më tej koston e jetesës për qytetarët dhe për bizneset. Në një situatë të tillë, roli i institucioneve është të veprojnë. Deri tani nuk kemi parë as plan, as masa për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se ekzistojnë hapa të menjëhershëm që mund të ndërmerren: Rritje lineare e pagave prej 3500 denarë, duke filluar me pagat e muajit mars; Ngrirje e përkohshme e çmimeve për produktet bazë ushqimore; Aktivizim i rezervave shtetërore të naftës, të cilat janë blerë me çmim më të ulët se 70 denarë për litër, për të amortizuar goditjen e tregut; Vauçer prej 3000 denarësh për punonjësit që punojnë jashtë vendbanimit të tyre, për të kompensuar rritjen e kostos së transportit”.
“Këto janë masa të realizueshme që mund të ndërmerren menjëherë nëse ekziston vullnet institucional. Qytetarët kanë nevojë për reagim të shpejtë dhe politika ekonomike që i mbrojnë në kohë krize. Heshtja institucionale nuk është përgjigje për rritjen e çmimeve”, thonë nga BDI./Telegrafi/




