
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj planit për prishtjen e ndërtesës së shkollës së mesme Teknike, me premtimin për ndërtimin e një objekti të ri.
Nga BDI teksa kritikojnë kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thonë se prishja e këtij objekti sjell vetëm kaos.
Reagimi i plotë:
Sot, duam të ngrisim zërin kundër një prej eksperimenteve më të rrezikshme që po kryhet mbi arsimin në qytetin tonë – prishja e ndërtesës së Shkollës së Mesme Teknike (“Shkolla Tekstile”) dhe premtimi i rremë parazgjedhor për ndërtimin e një godine të re.
Që nga ardhja e Bilall Kasamit në krye të komunës, kjo shkollë ka nisur të degradojë si në infrastrukturë ashtu edhe në cilësi, duke humbur interesin e nxënësve dhe duke pësuar rënie të vazhdueshme. Sot, në vend se të gjendet zgjidhje për zhvillim dhe përmirësim, kemi vendimin absurd për shkatërrimin e godinës, duke futur prindërit dhe nxënësit në pasiguri totale.
Prishja e objektit nuk sjell asgjë tjetër përveç kaosit. Nuk ka plan të qartë se ku dhe si do të vijojë mësimi, nuk ka konsultim me ekspertët e arsimit, as me institucionet përgjegjëse. Nxënësit janë të frikësuar, prindërit të hutuar, ndërsa mësimdhënësit me të drejtë kanë refuzuar idenë qesharake për zhvillimin e mësimit vetëm online. Një shkollë profesionale nuk mund të ekzistojë pa punëtori, laboratorë dhe mësim praktik – gjithçka që kjo qeverisje lokale po e injoron.
Po aq shqetësuese është edhe tentativa për t’i zhvendosur nxënësit e kësaj shkolle në hapësirat e shkollës fillore “Besa”, duke i përzier pa ndarje fizike me fëmijët e shkollës fillore, gjë që është e papranueshme dhe kundër çdo standardi pedagogjik.
Kjo situatë është dëshmi e mungesës totale të transparencës, planifikimit dhe përgjegjësisë. Është vazhdim i të njëjtit model mashtrues që e pamë edhe me tribunën e stadiumit të qytetit: shkatërro sot, premto nesër dhe harro pas zgjedhjeve.
Qytetarë të Tetovës, prindër, nxënës dhe arsimtarë – është koha për ndryshim. Ditët e improvizimeve dhe eksperimenteve politike po marrin fund. Nga tetori, Tetova do të ketë një kryetar që e kupton vlerën e arsimit, Bajram Rexhepin i cili do ta kthejë arsimin profesional në prioritet dhe do t’u japë fund lojërave me të ardhmen e fëmijëve tanë.
Projektet e komunes me 3D deri më sot e dijmë se si kanë përfunduar. Të gjitha kanë ngelur vetëm në letër.
Arsimi nuk është fushë për eksperimente. Arsimi është garanci për të ardhmen e qytetit.
BDI: Prishja e ndërtesës së Shkollës së mesme teknike sjell vetëm kaos, projektet 3D të Kasamit ngelin vetëm në letër appeared first on Telegrafi.