Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media ka reaguar për punësimet në Armatën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa thonë se i vetmi shqiptar i pranuar nga 74 kandidatë është Jasir Ibrahimi, nip i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.

Nga BDI thonë se kjo përzgjedhje selektive ka ndodhur pavarësisht faktit se dhjetëra të rinj shqiptarë të diplomuar kishin aplikuar në konkursin e shpallur në maj.

“Të gjithë, përveç një familjari të një funksionari të lartë partiak në pushtet, janë eliminuar gjatë testit psikologjik apo fizik. Vetëm nepotizmi kalon “testin”, jo aftësia, jo përgatitja. Kjo është një goditje e rëndë ndaj besimit të të rinjve shqiptarë dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore dhe në të ardhmen e tyre në këtë vend. Procesi i selektimit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup, ku nga 74 të pranuarit 71 janë maqedonas, 2 romë dhe vetëm 1 shqiptar, përbën një shkelje flagrante të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ky nuk është vetëm dështim institucional, por implementim sistematik i përjashtimit etnik nga institucionet e sigurisë”.

“Në kulmin e ironisë, në shpalljen zyrtare thuhej se “do t’i kushtohet vëmendje përfaqësimit të barabartë të komuniteteve”. Por ajo që ndodhi është e kundërta: përfaqësimi është inekzistent, barazia është zero, ndërsa konkurrenca është e manipuluar. BDI i bën thirrje opinionit publik dhe të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të mos e trajtojnë këtë si një rast të izoluar, por si pjesë të një plani të organizuar për të shtyrë shqiptarët jashtë institucioneve shtetërore, në këtë rast nga Armata dhe Ministria e Mbrojtjes”, thonë nga BDI.

Në fund theksojnë se “nuk do të heshtin përballë padrejtësive dhe nuk do të lejojnë që të rinjtë shqiptarë të përjashtohen, ndërsa familjarët e pushtetarëve të rreshtohen në institucione me favore politike”.

BDI: Nipi i Zeqirija Ibrahimit, i vetmi shqiptar i pranuar në konkursin skandaloz për Ushtri appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version