
Bashkimi Demokratik për Integrim reaguan se Gjykata Kushtetuese ka braktisur misionin e saj si institucion i pavarur që siç tha, po rrënon themelet e barazisë ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Në komunikatën për media, nga BDI thonë se zgjedhjet e ardhshme janë pasqyrim për barazi në këtë shtet, pasi shteti iu përket gjithë qytetarëve pa dallim.
Reagimi i plotë:
“Bashkimi Demokratik për Integrim denoncon me shqetësim të thellë dhe indinjatë të hapur sjelljen gjithnjë e më të hapur politike të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, e cila jo vetëm që ka braktisur misionin e saj si institucion i pavarur, por është shndërruar në instrument të pushtetit për të rrënuar themelet e barazisë ndëretnike dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Deklaratat publike të Kryetarit të kësaj gjykate, që minimizojnë problemet ndëretnike dhe i paraqesin ato si “mjet për qëllime politike”, janë jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe thellësisht të rrezikshme. Ato synojnë ta zhvendosin vëmendjen nga diskriminimi sistematik që ende ekziston dhe të mbulojnë ofensivën institucionale kundër të drejtave të fituara me gjak dhe sakrificë.
Gjykata Kushtetuese nuk po fshihet më pas neutralitetit – ajo po vepron si zgjatim parapolitik i pushtetit aktual. Paralajmërimi se vendimi për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të merret pas zgjedhjeve nuk është rastësi, por pjesë e një plani të mirëorkestruar për të ruajtur përkohësisht projektin e tyre politik te shqiptarët me kuazipërfaqësues pa legjitimitet, e që më pas për të goditur të gjitha arritjet e fituara përmes Marrëveshjes së Ohrit.
Zërat që prej kohësh flisnin për një marrëveshje mes Qeverisë dhe Gjykatës për ta rrëzuar ligjin pas zgjedhjeve, tashmë po marrin formën e faktit të kryer. Këto zhvillime zbulojnë një të vërtetë të hidhur: barazia dhe bashkëjetesa janë vënë në shënjestër nga vetë institucionet që duhet t’i mbrojnë ato.
Zgjedhjet e ardhshme nuk janë më thjesht zgjedhje – ato janë referendum për gjuhën shqipe, për barazinë qytetare dhe për orientimin e shtetit tonë. A do të jetë ky një shtet i të gjithë qytetarëve apo një regjim i maskuar që përdor drejtësinë për të shtypur identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve?”, tha BDI.
BDI: Gjykata Kushtetuese ka braktisur misionin e saj, vepron sipas agjendës së pushtetit aktual appeared first on Telegrafi.