Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Bajram Rexhepi, njofton se në mbledhjen e strukturave që kanë pasur sonte, kanë sjellë vendim që të premten të dalin në protestë në sheshin Iliria.

Rexhepi në një postim në Facebook shkruan se Komuna e Tetovës është bashkautore në lidhje me anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve.

“Sot, në mbledhjen e strukturave partiake të BDI – Dega Tetovë, në prani të liderit Ali Ahmeti, u vendos qartë: Tetova nuk do të heshtë përballë këtij akti poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të saj. Pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës sonë për seancë urgjente dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku dëshmohet se për gati një vit Komuna katër herë nuk i është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, bëhet e qartë se kjo nuk është pakujdesi, por bashkëautorësi”.


“Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit. Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë”.

“Të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, nga Sheshi Iliria, ftojmë çdo qytetar, çdo intelektual, çdo zë të lirë dhe çdo atdhetar, pa dallim bindjeje politike, të bashkohet në Marshin Protestues. Eja edhe ti. Zëri yt është zëri i Tetovës!”, ka shkruar Rexhepi./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version