Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj shndërrimit të koalicionit VLEN në një parti të vetme.
“Akti i djeshëm, ku disa subjekte politike u përpoqën të fshihen pas emrit të një partie, nuk është bashkim, por britma e fundit dëshpëruese për mbijetesë politike”, thuhet në reagimin e BDI-së, sipas të cilës, ironia është e plotë, VLEN zgjodhi dy timonierë për të drejtuar të njëjtën anije që tashmë po fundoset me shpejtësi.
“Kjo udhëheqje e fragmentuar është pranim i drejtpërdrejtë se në atë grupim mbizotëron mosbesim dhe fragmentim total. Në vend të vizionit, ata ofruan treg të egove, sepse askush nuk deshi t’ia lëshojë vendin tjetrit, vendosën të shtiren si parti me dy kryetarë. E vërteta është e qartë: VLEN u bashkua vetëm që bashkërisht të shpërbëhet”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Vendosja e dy liderëve, sipas BDI-së, është dëshmi se partia është e ndarë në fraksione ende pa filluar punën.
“Ndërkohë që liderët vetëshpallen, ministra dhe funksionarë kyç nga radhët e tyre tashmë e kanë braktisur anijen, duke refuzuar të jenë pjesë e këtij projekti të dështuar, të destinuar vetëm për shpëtimin e disa karrierave politike. Shqiptarët nuk meritojnë eksperimente politike. Dita e djeshme duhet të mbahet mend vetëm si fillimi i fundit të një grupimi që sakrifikoi të ardhmen e popullit të vet për të ruajtur kolltukët”.
Koalicioni VLEN po përballet me një debakël të vërtetë kadrovik, vijon më tej BDI.
“Ndërsa po shpërbëhen nga brenda, vazhdojnë të dërgojnë mesazhe të rreme për “zero korrupsion”, ndërkohë që realiteti i përgënjeshtron në çdo hap. Nuk mund të luftojë korrupsionin një parti e krijuar artificialisht, kur vetë e praktikon atë në vepër”.
Pothuajse dy vite janë në pushtet, thotë BDI, ndërsa bilanci i premtimeve të tyre kyçe është zero.
“Ndryshimet kushtetuese: Shtylla kryesore e zgjedhjeve të vitit 2024 – premtimi se ska qeveri pa ndryshime, apo për ndryshime për 3 muaj apo për ndryshime brenda 6 muajve – është braktisur zyrtarisht.Decentralizimi dhe infrastruktura: Nuk pamë asnjë decentralizim të komunave, përkundrazi është thelluar cebtralizimi, si dhe as përmirësim të infrastrukturës lokale në vendbanimet me shumicë shqiptare.Akademia Shqiptare: Akademia e premtuar e shkencave dhe arteve përfundoi edhe më keq se ndonjë shoqatë lokale dhe e padukshme.‘Banka Shqiptare’: Në vend të mbështetjes për bizneset shqiptare, mashtruan votuesit dhe lejuan hyrjen e kapitalit serb përmes Alta Bankës.Bixhozi dhe kazinotë: Të rreme dolën premtimet për mbylljen e tyre. Ligji u tërhoq nga Kuvendi, ndërsa Izet Mexhiti vazhdoi të përfitojë nga monopoli “Megavin”, për të cilin vetë kishte deklaruar se do të mbyllej.Marrëveshja e Ohrit dhe gjuha: Në vend të forcimit të Inspektoratit të Gjuhëve dhe trajtimit dinjitoz të gjuhës shqipe, po përparojnë vetëm interesat biznesore të liderëve të tyre.Qytetarët si aksionarë: Premtuan se populli do të kishte pjesë në të mirat publike dhe pronën shtetërore. Në realitet, “aksionarë” në bizneset fitimprurëse (kazinotë dhe bankat) u bënë vetëm njerëzit e afërt me udhëheqjen.Dhe shumë premtime të tjera me të cilat i mashtruan shqiptarët”.
Shumë shpejt, sipas BDI-së, do ti nënshtrohen vetingut urgjent ndërkombëtar për pasurinë e funksionarëve, si dhe me një revizion të plotë të pasurisë kriminale të klanit rreth Mexhitit.

