Bashkia e Shkupit, gjatë vitit 2025, ka paguar rreth 750.000 euro dëmshpërblim për qytetarët për shkak të sulmeve nga qentë endacakë. Sipas të dhënave të publikuara nga disa media vendore dhe raporte institucionale, janë paraqitur qindra padi dhe janë marrë vendime gjyqësore për kompensim.

Po ashtu, sipas disa të dhënave zyrtare, nga janari 2025 deri në janar 2026 janë paraqitur gjithsej 440 padi për dëme jomateriale të shkaktuara nga kafshimet e qenve endacakë. Gjykatat kanë marrë 383 vendime përfundimtare, mbi bazën e të cilave qyteti ka paguar shuma të konsiderueshme financiare për qytetarët e dëmtuar. Këto të dhëna tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së raportimeve për incidente të tilla në zonat urbane të qytetit.

Disa banorë, në komuna të Shkupit kanë raportuar se sulmet ndodhin më shpesh në lagje banimi, pranë shkollave dhe parqeve, gjë që rrit më tej shqetësimin për sigurinë publike. Ku disa raste përfundojnë me lëndime më të lehta, por që ka edhe incidente më serioze që kërkojnë ndërhyrje mjekësore.

Nga ana tjetër, institucionet përballen me kritika se zgjidhja sistematike e problemit me qentë endacakë po vonohet, pavarësisht ekzistencës së programeve për trajtimin human dhe kapjen e tyre. Sipas disa raporteve, komunat kanë detyrime ndaj ndërmarrjes publike “Lajka”, por ato nuk përmbushen plotësisht, gjë që po e vështirëson edhe më shumë përballimin e problemit.
Analistët dhe një pjesë e ekspertëve paralajmërojnë se ky trend krijon barrë financiare për buxhetin e qytetit, si dhe një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht në zonat urbane me dendësi të lartë të popullsisë./Shenja/

Share.
Exit mobile version