
Një delegacion i Asociacionit gjerman të biznesit i udhëhequr nga anëtari i Bordit drejtues të Asociacionit, Kristof Bek sot vizitoi Odën ekonomike të Maqedonisë së Veriut ku realizuan takim me kryetarin e Odës, Branko Azeski dhe një ekip biznesmenësh nga Maqedonia. Siç u theksua nga Azeski dhe Bek pas takimit, në këtë kohë pasigurie, forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis vendeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi është e vetmja mënyrë për të zhvilluar ekonominë.
Azeski theksoi bashkëpunimin e mirë deri më tani midis Odës ekonomike dhe Asociacionit të biznesit dhe theksoi se në takimin e sotëm u krijua një kornizë për bashkëpunim të ri i cili siç tha ai, “do të zhvillohet në mënyrë institucionale në bashkëpunim me Qeverinë”.
“Patëm nderin e madh të kemi një delegacion nga Asociacioni gjerman i biznesit me të cilin kemi bashkëpunim një kohë të gjatë, ata ishin 25 biznesmenë nga kompanitë më të rëndësishme në Gjermani, përfshirë edhe ata që kanë investuar në vend. Ne mund të konstatojmë vetëm disa gjëra se në periudhën e kaluar Oda ekonomike dhe Asociacioni gjerman i biznesit kanë pasur bashkëpunim të mirë dhe na kanë ndihmuar në momente kritike në të gjitha projektet e rëndësishme dhe këtë do ta bëjnë edhe në periudhën në vijim. Kemi vënë një kornizë për bashkëpunim të ri që do ta udhëheqim institucionalisht me Qeverinë dhe kjo do të ndikojë edhe në tranzicionin e kompanive”, ka thënë Azeski.
Nga ana tjetër, Kristof Bek ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shtoi se në takimin me Azeskin janë diskutuar tema nga fusha të ndryshme, duke përfshirë energjetikën, digjitalizimin, si dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit.
“Ishte nder të isha sot mysafir në Odën ekonomike në Maqedoninë e Veriut, së bashku me një delegacion të madh biznesmenësh gjermanë nga sektorë të ndryshëm. Për gjithë ne është e rëndësishme të diskutojmë tema në fushën e energjetikës, digjitalizimit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë kohë pasigurie, është shumë e rëndësishme të forcohet bashkëpunimi ekonomik me vendet e tjera, sepse vetëm në këtë mënyrë jeni në rrugën e duhur drejt zhvillimit ekonomik. Gëzohemi që do të bashkëpunojmë në të ardhmen”, ka thënë Bek.
Azeski – Beg: Në kohë pasigurie, forcimi i bashkëpunimit ekonomik midis vendeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm appeared first on Telegrafi.