Për shkak të borxhit që Ndërmarrja e Qarkullimit Publik ka ndaj transportuesve të linjave private, autobusët e këtyre linjave në Shkup, nga sot reduktuan qarkullimin.

Linjat private qarkulluan nga ora 5:00 deri në ora 10:00 kur edhe parkuan autobusët e tyre. Nëpër stacionet e autobusëve të Shkupit, përsëri u rikthye pritja e gjatë e qytetarëve dhe rrëmuja për një vend në autobusët e stërmbushur të NQP-së, mes qytetarëve kishte edhe shumë nxënës që ishin vonuar për në shkollë.

“Shkojmë për në shkollë. Në sa ora duhet të jeni atje? Në 13:30 por jemi vonuar. Presim autobus për më shumë se 20 minuta, nga Çairi deri këtu erdhëm për 30 minuta”, deklaroi një nxënës.

Është e tmerrshme, duhet të rregullohet njëherë e përgjithmonë transporti në Shkup. Edhe me veturë njëjtë është, por do e provoj por nuk di si të arrij tani deri në shtëpi. Autobusi me numër 19 ishte deri në 11:00 por më pas nuk kishte”, tha një qytetare.”E vështirë është pasi humbim kohë, edhe për të ardhur në punë është stresuese se a do të arrij në kohë, duke u kthyer humb shumë kohë pasi qëndroj në stacion dhe nuk e di se a do të vijë autobusi”, u shpreh një tjetër qytetare.

Sipas transportuesve privatë, borxhi që Ndërmarrja e Qarkullimit Publik ka ndaj tyre kalon shifrën 170 milionë denarë i cili është grumbulluar që nga muaji prill i këtij viti.

“Transportuesit më nuk kanë mjete dhe ishim detyruar që të reduktojmë transportin dhe do të vozisim nga ora 05:00 deri në 10:00, deri në momentin kur NQP-ja do të paguaje mjete, menjëherë pasi NQP-ja të paguaje mjetet, autobusët menjëherë do të kyçën dhe nuk do të ketë asnjë problem do vozisim sipas rendit që qarkullimit”, deklaroi Jovica Zafirovski – Transportues Privat.

“Për takimet që drejtori thoshte se jemi dakorduar, ai vetëm premtonte se do të behet pagesa nga 12 milionë denarë nga paratë e ndërmarrjes ai nuk e realizoi premtimin dhe çdoherë na thoshte shkoni në Qytet të Shkupit bëni shtypje, paratë nga Qyteti i Shkupit kanë kaluar në ndërmarrje por paratë tona i lëshon në ndonjë vend tjetër. Cilët numra do të jenë të reduktuar? Të gjithë privatët, pakëti im është neper fshatra dhe do të jenë deri në ora 10:00, pas kësaj orë më vjen keq për udhëtarët por nuk mund të vazhdojmë më”, tha Mehmet Hasani – Transportues Privat.

Deri tani nuk ka reagim nga NQP-ja, në lidhje me reduktimin e transportuesve privatë. Takimi i fundit mes drejtori të ndërmarrjes dhe transportuesve privatë ishte të premten e kaluar kur edhe kishte debat të ashpër mes tyre për shumen e borxhit.

Drejtori i NQP-së Dragi Kushovski deklaroi se borxhi po shlyhet sipas marrëveshjes ndërsa akuzoi transportuesit privatë se po manipulojnë me qytetarët. Nga ana tjetër transportuesit e paralajmëruan për reduktimin e sotëm nëse borxhi nuk shlyhet ndaj tyre. /Alsat/

Share.
Exit mobile version