Ky është vetëm një nga autobusët e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik që sot u detyrua t’i zbresë udhëtarët në mes të rrugës për shkak të një defekti.

Vitin e kaluar, disa dhjetëra autobusë të tjerë të transportit urban në Shkup u përballën me probleme të ngjashme si shkak i defekteve të shpeshta dhe ndalesa në rrugë, duke lënë qytetarët që të presin nëpër stacione ose të vazhdojnë rrugën në këmbë.

”Transporti publik në qytetin e Shkupit vazhdon të mbetet sfidë për qytetarët. Autobusët e prishur të cilët ngecin në rrugë edhe këtë verë filluan sezonin e tyre. Qytetarët kërkojnë zgjidhje nga Qytetit i Shkupit, sa më shpejtë që është e mundur.” tha Avni Tahiri, Gazetar.

“Kushtet janë katastrofë, ka shumë rrëmujë.” tha një qytetar.

”Nuk janë për të gjithë të prishur, 22 e ke edhe privat edhe shtetërorë gjithmonë e në Saraj mbi 1000 shtëpi sa janë në dy orë vjen një autobus. Bojana njëjtë nuk ka autobusë, vijë deri në Saraj për atë autobus pasi nuk ka.” tha një qytetar.

”Nuk përputhët ajo që shkruan në tabele me realitetin dhe pritet dy here më shumë. Pra nëse shkruan 20 minuta duhet të presësh 40 minuta.?! Përafërsisht ashtu është.” tha një qytetar.

”Ndonjëherë vijnë më herët e ndonjëherë më vonë, siç u përshtatët atyre, nuk kanë orare.” tha një qytetar.

”Këtu pritja zgjat nga 50 minuta e deri në një orë dhe kur arrijnë nuk presin pesë minuta që të ngjiten udhëtarët por menjëherë i mbyllin dyert.” tha një qytetar.

Edhe pse nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik të Shkupit, nuk u përgjigjën në pyetjen se me çfarë kapaciteti funksionojnë momentalisht, sipas informatave të Alsat, në rrugët e Shkupit janë rreth 160 autobusë në të gjitha linjat urbane dhe periferike.

Nga ky numër, 30 prej tyre pasi kanë qëndruar në garazhe për një kohë të gjatë dhe pas riparimeve, janë kthyer në qarkullim. Sipas numrit të udhëtarëve në Shkup, që NQP, të funksionoje siç duhet, i duhen rreth 400 autobusë.

Sipas Qytetit të Shkupit, autobusët e parë të rinj pritet të vijnë brenda disa muajsh edhe pse dështoi tenderi për blerjen e 150 autobusëve të rinj ekologjikë. Sipas Ministrisë së transportit, tenderi dështoi për shkak se kompanitë që aplikuan nuk i kanë plotësuar kushtet./Alsat.mk.

Share.
Exit mobile version