Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj marrëveshjes së pretenduar mes koalicionit VLEN dhe OBRM-PDUKM-së për qytetin e Shkupit.
ASH e ka cilësuar atë si një nga mashtrimet më të mëdha politike ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
ASH akuzon këtë bashkëpunim si një akt tradhtie, pasi siç thohet në njoftim, OBRM-PDUKM njihet për qëndrime anti-shqiptare.
Reagimi i plotë:
Marrëveshja e pretenduar mes VLEN-it dhe OBRM-PDUKM-së, e shitur përmes kandidatit të tyre për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, është mashtrimi më i madh politik që i ofrohet sot shqiptarëve. Premtimet se Ndërmarrjet e Qytetit të Shkupit, si “Higjiena Komunale” dhe “Parqet dhe Gjelbërime”, do të drejtohen nga kuadro të VLEN-it, janë vetëm fasadë për të manipuluar shqiptarët dhe për t’i orientuar që të votojnë binomin e Hristijan Mickoskit në Shkup.
Ky është një veprim i turpshëm, që s’ka tjetër emër përveç tradhti, vasalitet dhe dorëzim përpara partisë më antishqiptare që ka njohur ndonjëherë historia e Maqedonisë së Veriut – OBRM-PDUKM-së.
Aq më tepër, shqiptarët e dinë mirë se sa vlen fjala dhe marrëveshjet politike të OBRM-PDUKM-së. Nga katër pikat e marrëveshjes për krijimin e qeverisë, asnjëra nuk u realizua. Kjo është dëshmia më e qartë se çdo premtim i tyre është mashtrim i radhës. Shqiptarët nuk pranojnë kamuflime parazgjedhore për t’ua marrë votën. Kush orienton votën drejt OBRM-PDUKM-së, nuk është gjë tjetër veçse argat dhe shërbëtor i tyre.
Shqiptarët nuk mashtrohen. Ata e njohin mirë politikën e Mickoskit dhe strategjinë e OBRM-PDUKM-së: degradim, nënshtrim, manipulim, eliminim dhe kapitulim të çdo arritjeje të shqiptarëve si popull shtetformues. Kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk kanë dhe nuk do të kenë kurrë votë për OBRM-PDUKM-në dhe për satelitët e saj në kampin shqiptar.
19 tetori është referendum. Shqiptarët do të flasin qartë dhe me një zë: nuk pranojnë nënshtrim ndaj OBRM-PDUKM-së dhe vasalëve të saj. Fitorja plebishitare e Besëlidhjes – Aleancës Kombëtare për Integrim – AKI, do të jetë vendimtare për orientimin europian, demokratik dhe të barabartë të Maqedonisë së Veriut.