Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj propozim-ligjit të ri për arsimin e lartë, duke deklaruar se e refuzon kategorikisht atë, pasi sipas partisë, ky draft nuk sjell reformë reale, por hap rrugë për goditje të reja ndaj universiteteve shqiptare në vend.
“ASH vlerëson se ligji i propozuar nuk ndërtohet mbi parimet e barazisë, meritës dhe zhvillimit, por mbi “padrejtësi, kontroll dhe kalkulim politik”, prek drejtpërdrejt financimin, vendet e punës, doktoratat dhe meritokracinë në institucionet e arsimit të lartë.
Një nga kërkesat kryesore të Aleancës është që diplomat dhe të gjitha dokumentet universitare të lëshohen edhe në gjuhën shqipe, në të gjitha universitetet shtetërore dhe private, pa përjashtim. Ko është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore që duhet të zbatohet njësoj në çdo institucion universitar, përfshirë edhe universitetet maqedonase si Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Universiteti “Goce Dellçev”, thuhet në reagimin e ASH-së.
ASH ngre shqetësim edhe për gjendjen në Universitetin e Tetovës, ku sipas tyre rreth 600 të punësuar mbahen me kontrata, që përbëjnë afro 50 për qind të stafit, ndërsa në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” kjo përqindje është vetëm rreth 10 për qind.
Partia thekson se, përderisa UKM përfiton investime të reja infrastrukturore dhe UGD fakultet të ri të mjekësisë, Universiteti i Tetovës mbetet pa asnjë investim.
Në reagim kundërshtohet edhe çdo tentativë për të kufizuar hapjen e studimeve të doktoratës për studentët shqiptarë, me arsyetimin se universitetet shqiptare disponojnë kuadër akademik të mjaftueshëm dhe plotësojnë kriteret për mentorim dhe zhvillim të ciklit të tretë të studimeve.
Një tjetër pikë e debatueshme, sipas Aleancës për Shqiptarët, është heqja ose zbutja e dispozitave kundër nepotizmit. Partia kërkon rikthimin e tyre në formën që kanë qenë në ligjin e vitit 2018, duke paralajmëruar se çdo hapësirë për nepotizëm është e qëllimshme dhe e papranueshme.
Aleanca për Shqiptarët i cilëson këto kërkesa si “vija të kuqe” dhe deklaron se deputetët e saj nuk do ta votojnë ligjin në këtë formë. Njëkohësisht, u bën thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë që të mos mbështesin një ligj që, sipas tyre, dëmton universitetet shqiptare, cenon të drejtat e shqiptarëve dhe rrezikon të ardhmen akademike të tyre.

